E Shtunë, 31 Tetor 2026

Elbasan, Imami: Programi i Ramës e fut Shqipërinë në rrugën e bllokimit

ELBASAN– Në cilësinë e kryesuesit të grupit te punës te zgjedhjeve të PD në qarkun e Elbasanit, ministri i Mbrojtjes, Arben Imami, ka vijuar takimet në komunën Labinot Fushë me sipërmarrës të firmës Torelli, si edhe banorë të kësaj komune. “Zoti Rama duhet të kthejë mbrapsh fyerjet për të rinjtë e të rejat që mbështetin PD, për mësuesit e infermieret, të cilat sipas tij, vijnë me zor në mitingjet apo që mbështesin PD, si dhe të kthejë mbrapsh të gjithë fyerjet personale që bën për të gjitha shtresat e e popullsisë, tha Imami.

"Fushata jonë është e mbështetur në dashurinë për njeriun, jetën, familjen, për atdheun. Ne së bashku kemi bërë përpjekje e sakrifica për ta zhvilluar këtë vend, që të jemi krenarë për të tashmen tonë e për të ardhmen", theksoi ai, duke u ndalur me pas tek arritjet e qeverise shqiptare për arsimin, shëndetësinë, biznesin, fermerët etj.

Integrimi ishte një tjetër cështje e Imamit në këtë takim, duke theksuar se “po të ishin miratuar tre ligjet do ta kishim marrë statusin gjashtë muaj përpara, por ky është një veprim i Ramës që nuk i qëndron arsyes, nuk i qëndron moralitetit e dashurisë për vendin tënd, sepse mendon se do të kishte avantazh PD po të merrte Shqipëria statusin kandidat", tha ministri Imami. 

(e.m/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›