E Shtunë, 31 Tetor 2026

DASH: Korrupsioni pengon luftën kundër trafikimit të njerëzve

TIRANË- Departamenti amerikan i Shtetit publikoi raportin vjetor për Trafikimin e Njerëzve për vitin 2011. Siç raporton “Zëri i Amerikës”, në raport përfshihen 180 vende dhe në të vlerësohet puna që bëjnë qeveritë e këtyre vendeve në përpjekje për të luftuar trafikimin e njerëzve. Në kapitullin për Shqipërinë thuhet se Shqipëria është një vend-burim për trafikimin e burrave, grave dhe fëmijëve që detyrohen të kërkojnë lëmoshë. Në raport thuhet se viktimat e Shqipërisë së trafikimit ndahen në dy grupe, ato që detyrohen të bëjnë punë të detyruar dhe për shfrytëzim seksual brenda Shqipërisë, por edhe në Greqi, Itali, Maqedoni, Kosovë dhe Europën Perëndimore. Sipas raportit, rreth gjysma e viktimave të raportuara për vitin 2010 ishin gra dhe vajza, viktima seksi në hotele dhe banesa private në Tiranë, Durrës dhe Vlorë. Ndërsa fëmijët janë shfrytëzuar kryesisht për të kërkuar lëmoshë dhe për forma të tjera të punës së detyruar. Burrat shqiptarë, viktima të trafikut, janë detyruar të kryejnë punë të detyruar bujqësore në Greqi dhe vende të tjera fqinje. Sipas DASH, organizatat jo qeveritare vazhdojnë të raportojnë se ritrafikimi i viktimave shqiptare përbën problem. Në raport thuhet gjithashtu se qeveria shqiptare nuk i plotëson të gjitha standardet minimale për eliminimin e trafikut, megjithatë po bën përpjekje të rëndësishme. Në raport thuhet se gjatë vitit qeveria shqiptare ka marrë disa hapa konkretë për përmirësimin e strategjisë kundër trafikimit njerëzor në tërësi. Korrupsioni, thuhet në raport, sidomos në drejtësi, ka vazhduar të pengojë zbatimin në përgjithësi të ligjeve kundër trafikimit dhe përpjekjet për mbrojtjen e viktimave.

Mes rekomandimeve për Shqipërinë, në Raportin e Departamentit të Shtetit për Trafikimin e Njerëzve, thuhet se vendi duhet të vazhdojë të përmirësojë zbatimin e Mekanizmit Kombëtar të Referimit, duke bërë të mundur që të ndiqen penalisht punonjësit e zbatimit të ligjit që bashkëpunojnë në trafikimin e njerëzve, të hetojë dhe nxjerrë para drejtësisë autorët e trafikimit dhe të ndihmojë në funksionimin e strukturave kundër trafikut. Raporti nënvizon se Shqipëria i ka shtuar përpjekjet për zbatimin e ligjeve kundër trafikut në vitin 2010 dhe ka përmirësuar përpjekjet për identifikimin dhe mbrojtjen e viktimave, por korrupsioni në të gjitha nivelet dhe sektorët vazhdon të pengojë së tepërmi përpjekjet e qeverisë në luftën kundër trafikimit të njerëzve.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›