E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Elbasan, Rama: Meta-Berisha s’kanë lidhje as me të majtën, as me të djathtën, janë të padëshirueshëm për aleatët tanë

Berisha dhe Meta kanë qenë në qendër të akuzave të kryeministrit, Edi Rama, gjatë një takimi me gratë dhe vajzat në Elbasan, për zgjedhjet vendore të 14 majit 2023.

Sipas tij, Sali Berisha nuk mund ta vendosë emrin në fletën e votimit për faktin se është shpallur “non-grata” nga SHBA, ndërsa Luçiano Boçin, kandidatin e “BF”, e komentoi si një personazh që “ka dalë të tallet me popullin e Elbasanit”.

Rama nënvizoi se për Metën janë bërë të gjitha përpjekjet për ta sjellë në rrugë të mbarë, por nuk i ndahet rrugës mbrapsht dhe nuk ka lidhje fare me shkuarjen përpara.

 “Si mund të votoni Like Floririn, i cili sa herë i është afruar PD-së dhe partisë tonë, i është afruar vetëm për të kafshuar pasuri nga trupi i partisë”-theksoi Rama.

 Lidhur me kandidatin e koalicionit “BF”, Rama nuk i kurseu kritikat duke u shprehur se Boçi ka qëllim vetëm të tallet me popullin e Elbasanit.   

“Lul Basha ishte kulmi i artistit që të rre, edhe kur e pyet sa është ora, por Luli është shumë më i vërtetë dhe shumë më i vërtetë sesa Luluçi që keni ju këtu. Kandidati, bashkë me një investitor konsulent që do sillte 400 milionë euro këtu në Elbasan, dalin përpara popullit edhe firmosin marrëveshje! Në marrëveshje thuhet kryetari i ri i bashkisë, një status që nuk ekzsiton se ose je kryetar i bashkisë ose je një artist i ri që ke dalë në skenë për t’u tallur me popullin tënd. Ka qëllim që ta bëjë Elbasanin kinostudio”- u shpreh Rama.

Sipas Ramës, dyshja Meta-Berisha nuk kanë lidhje fare, as me të majtën dhe as me të djathtën dhe janë njerëz të padëshirueshëm për aleatët tanë strategjikë.

 “Evropa nuk e ka praktikë të shpallë “non- grata” individë të caktuar, por nuk ia hap kurrë derën individëve që i nxjerr “non- grata” SHBA. Atëherë si mundet e gjithë ajo bashkësi njerëzish të besojnë tek e djathta dhe të shkojnë pas një “non grate” dhe të vendosin kryqin në fletën e votimit për Like Floririn?”- theksoi kryeministri në fjalën e tij.

Rama kërkoi nga vajzat dhe gratë që të votojnë për Gledian Llatjën, për të vazhduar me zhvillimin e Elbasanit.

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›