E Diel, 1 Nëntor 2026

Elbasan; Shkurtohen 68 mësues, mësimi, me “klasa të bashkuara”



Viti i ri shkollor 2009-2010 shkollor pritet të ketë 68 mësues më pak. Lajmi për gazetën “standard” e ka konfirmuar drejtorja e Arsimit Rajonal të Elbasanit, Mimoza Matraxhiu. Më konkretisht, në qytet do të jenë 30 mësues më pak, ndërsa në shkollat e komunave të rrethit 38 mësues më pak. “Ky fenomen ka ardhur si rezultat i uljes së numrit të nxënësve. Gjithashtu, një pjesë e madhe e shkollave i realizojnë orët e mësimit me klasa të bashkuara dhe zakonisht janë shkolla vartëse, ku numri i tyre shkon 66. Më e theksuar kjo dukuri është në rrethet e Gramshit, Librazhdit, Peqinit dhe një numër i vogël në zonat e largëta të Elbasanit. Këtë vit shkollor, synimi i sektorit të arsimit është përzgjedhja e kuadrove drejtuese, për të rritur cilësinë në arsim”, - u shpreh drejtorja Matraxhiku.

Ndërkaq, në disa shkolla të rrethit ka filluar dhe po vijohet me rindërtimin e godinave shkollore, ku mund të përmenden dy shkolla 9-vjeçare, konkretisht në komunën Labinot Mal dhe Gostimë, ndërsa dy të tjera të ciklit të mesëm në komunën Funar dhe Bashkinë e Cërrikut. Për këto shkolla në bashkëpunim me pushtetin vendor po punohet për gjetjen e zgjidhjeve për akomodimin e nxënësve. Ndërsa katër shkolla të tjera janë duke u ndërtuar në rrethin e Elbasanit, Fierzë, Bradashesh, dhe dy të tjerat në Elbasan. Drejtorja Matraxhiu ka pohuar se problemet e këtij viti shkollor janë të zgjidhura në pjesën dërrmuese të tyre, ndërsa për disa të tjera zgjidhja është në proces. Në këtë mënyrë drejtorja Matraxhiu garanton një mbarëvajtje të fillimit të vitit shkollor 2009 – 2010.

Problematika kryesore në këtë fushatë arsimore mbetet akomodimi i nxënësve në klasa, pasi në shkollat e rrethit të Elbasanit ka një mungesë të theksuar bankash që kap një shifër 215, ndërsa në kundërshtim me ketë, nga pushteti vendor pohohet se janë marrë masa për sigurimin e tyre.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›