Tekstet shkollore; Radhë dhe vonesa në librari
Pavarësisht punës së bërë nga Ministria e Arsimit për të plotësuar me tekste të gjithë nxënësit, si dhe për të shmangur radhët, kjo mënyrë nuk ka dhënë rezultatet e pritshme, sipas prindërve
Në libraritë e kryeqytetit vazhdojnë prej disa ditësh radhët e gjata të prindërve dhe nxënësve që presin për të marrë librat. Në një pikë shitjeje të hapur nga shtëpia botuese “Odeon”, e cila mbulon me libra nxënësit e shkollës “Jeronim de Rada” dhe “Hasan Vogli” në rrugën “Haxhi Dalliu”, gjendja paraqitet tejet e rëndë, kur vetëm dy ditë na ndajnë nga fillimi i vitit të ri shkollor dhe ende nxënësit nuk janë pajisur me tekstet e nevojshme për mësim. Pavarësisht punës së bërë nga Ministria e Arsimit për të plotësuar me tekste të gjithë nxënësit, si dhe për të shmangur radhët, kjo mënyrë nuk ka dhënë rezultatet e pritshme, sipas prindërve. Ka dhe nga ata prindër që detyrohen të lënë disa herë punën në mënyrë që të marrin librat e fëmijëve.
“Kam ardhur këtu pesë herë për t’i marrë librat për djalin se e kam te shkolla “Jeronim de Rada”, por na thonë që nuk i kemi sot, hajde pas dy ditësh”, - tregon një zonjë rreth të 45-ave. Pavarësisht punës së bërë nga Ministria e Arsimit për të plotësuar me tekste të gjithë nxënësit, si dhe për të shmangur radhët, kjo mënyrë nuk ka dhënë asnjë rezultat pozitiv. Ashtu siç ka bërë të ditur Ministria shpërndarja e librave ka filluar që në fillim të muajit gusht, në mënyrë qe kur të ketë filluar shkolla te gjithë nxënësit të jenë plotësuar ne libra. “Kam ardhur shumë herë këtu për të marrë librat dhe nuk i kam marrë dot, po çfarë të bëj? Nuk mund t’i lë fëmijët pa shkollë”, - thotë Mimoza, e cila shton më tej se “në librarinë e zonës së saj nuk ka asnjë libër”.
Librat
Problem tjetër shumë shqetësues për qytetarët është edhe mungesa e shumë librave. Për çdo klasë, qoftë të shkollës 9-vjeçare apo të mesme, mungojnë disa prej librave, çka i sjell prindërit çdo ditë përpara dyerve të librarive. “Nuk i kam marrë asnjë libër vajzës, e cila fillon vitin e parë te gjimnazi “Qemal Stafa”, sepse nuk ka ardhur asnjë libër deri tani”, - tregon Mimoza. Por, mungesa të shumta janë paraqitur edhe në librat e nxënësve të shkollës 9-vjeçare. Klasës së parë i mungon Edukata dhe Fletorja e punës, ndërsa klasës së nëntë i mungon Anglishtja si dhe atlaset. Shqetësues për qytetarët ka qenë fakti së nëpër librari, tekste kanë ardhur, nuk kanë ardhur të gjitha në të njëjtën kohë, porse vinin kohë mbas kohe, çka i detyronte prindërit që të braktisnin angazhimet e tjera dhe të prisnin radhën për të marrë librat e nevojshëm. “Isha në punë paradite dhe nuk mundesha të vija të tërhiqja librat, mundësia e vetme është pasdite dhe deri tani nuk kam arritur t’i marr, kështu që do të vij përsëri nesër”, - thotë një qytetare.
Kompensimi
Ministria e Arsimit, një javë më parë është shprehur se do të kompensohen të gjitha familjet për librat e shkollës 9-vjeçare, por nuk ka përcaktuar asnjë datë apo muaj se kur do të ndodhë kompensimi. Nga ana tjetër, familjet që kanë disa fëmijë, janë të shqetësuar sepse librat kushtojnë shumë dhe rrogat i kanë të ulëta. “Kam tre fëmijë, dy në 9-vjeçare dhe një në gjimnaz, rroga që marr unë mezi që na del edhe për jetesë”, - thotë Mimoza. Gjithashtu, ajo ka shtuar: “Vitin e kaluar e kam marrë kompensimin për librat, kur ka mbaruar shkolla dhe jo në tetor, kur tha Ministria”. Një tjetër qytetare që është shprehur e zhgënjyer për kompensimin, ka thënë: “Nuk ia vlen të marr si kompensim 1000 lekë kur librat kushtojnë 5000-6000, duke shtuar dhe arsyen që duhet të pres disa ditë në radhë për të marrë kompensimin”. Problem tjetër që rëndon xhepat e familjarëve, është se ka disa libra, siç janë fletoret e punës që kushtojnë nga 500 lekë dhe të cilat nuk kompensohen.