shkurt, kronike
Tiranë, aksident në superstradë, humb jetën një person
Një person humbi jetën si pasojë e një aksidenti të rëndë që ndodhi në superstradën Tiranë-Durrës. Ngjarja ndodhi rreth orës 19:00 të ditës së djeshme, ku si pasojë mbetën të plagosur edhe disa persona të tjerë. Viktima është e seksit femër. Në aksident u përfshinë tri makina dhe një motor. Sipas burimeve nga policia, përplasja ndodhi përballë një qendre tregtare anës superstradës.
Ndaj të plagosurve u dha ndihma e parë, duke i dërguar në Spitalin Ushtarak. Ndërkohë që viktima humbi jetën menjëherë si pasojë e përplasjes nga goditjet e marra. Policia ka shkuar në vendngjarje, ku ka nisur nga puna për zbardhjen e rrethanave të aksidentit.
Spanjë
Arrestohen pesë shqiptarë për shfrytëzim prostitucioni
Policia spanjolle vuri në pranga pesë shqiptarë të cilët akuzohen për kryerjen e veprës penale të “shfrytëzimit të prostitucionit”. Sipas mediave spanjolle, u organizua operacioni i koduar “Romina”, ku u godit rrjeti i trafikantëve shqiptarë. Sipas mediave spanjolle, hetimet kishin nisur disa javë më parë, kur policia siguroi disa dokumente identiteti të rreme. Shqiptarët e ndaluar dyshohet se trafikonin femra nga vende të ndryshme në Spanjë ku i detyronin të ushtronin prostitucion. Të arrestuarit janë të moshave 28 deri 33 vjeç dhe u ndaluan në Granada, Veles dhe Malaga.
Elbasan
Kapen me 113 gramë kokainë, arrestohen dy persona
Policia e Elbasanit në bashkëpunim me Policinë e Shtetit kanë bërë të mundur finalizimin me sukses të operacionit "Dërgesa e vonuar", duke vënë në pranga 2 persona të cilët u kapën me një sasi droge. Sipas burimeve zyrtare policore, Nikolla Lepuri, 32 vjeç, dhe Gëzim Balla, 35 vjeç, të dy me banim në Elbasan, u kapën dy net më parë në hyrje të qytetit të Peqinit, me një sasi prej 113. 3 gram lëndë narkotike e dyshuar e llojit kokainë. Lënda narkotike u gjet në mjetin tip “Volswagen”, me targa të huaja CA 2021 KT, me të cilin po lëviznin drejt qytetit të Elbasanit. Gjatë kontrolleve në banesat e tyre, policia gjeti dhe sekuestroi 26 fishekë luftarakë, një krehër automatiku dhe 600 gramë dinamit. Të arrestuarit do të përballen me akuzën për “prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike” dhe “prodhim dhe mbajtje pa leje të armëve luftarake”.
Fier
Zjarr në Levan, digjen 10 ha pyje
Një zjarr i fuqishëm ka përfshirë pasditen e djeshme kodrat e Levanit në Fier. Zjarri i rënë prej orës 16:00 ka djegur rreth 10 hektarë pyje, ndërsa sipas të dhënave nga vendngjarja mësohet se flakët rrezikuan seriozisht edhe 2 banesa që ndodheshin pranë vatrës së zjarrit. Zjarrfikëset kanë mbërritur në vendngjarje dhe bënë të mundur lokalizimin e flakëve dhe pas disa orësh shuarjen e tij. Por, sipas burimeve, fillimisht ato e kanë pasur të pamundur ndërhyrjen për shkak të terrenit të thyer. Ende nuk dihen shkaqet e rënies së zjarrit, ndërsa dyshimet e para të çojnë në një zjarrvënie të qëllimshme.
Fushë-Krujë
Grabit pikën e eurolotos, në kërkim Ismet Rryçi
Rikthehen sërish grabitjet me armë, në Fushë-Krujë është grabitur dy net më parë një pikë euroloto, e cila ndodhet në afërsi të stacionit të fugonëve të kryeqytetit. Sipas burimeve nga policia, një person i armatosur rreth orës 23:10 ka hyrë në ambientet e lokalit në pronësi të shtetasit Armando K., 23 vjeç, banues në këtë zonë, e cila shërbente si pikë eurolotoje dhe ka kërcënuar klientët si dhe pronarin që ndodhej aty në ato momente. Me një automatik në dorë, të llojit “kallashnikov”, autori ka kërcënuar të gjithë personat që të mos lëviznin, në të kundërt do të qëllonte mbi ta. Për të qenë edhe më i besuar se arma që mbante në dorë ishte plot me plumba, ai ka qëlluar disa herë mbi aparaturat që ndodheshin në euroloto, duke i shkatërruar ato tërësisht. Pas shkrehjes së armës, rreth 15 persona që ndodheshin në ato momente brenda ambienteve të eurolotos, janë shtrirë përtokë duke mos lëvizur. Menjëherë grabitësi i ka kërkuar pronarit që t’i jepte atij të gjitha të hollat që kishte fituar nga xhiroja e ditës. Mësohet se autori i grabitjes, pasi ka marrë shumën prej 400 mijë lekësh, është larguar nga vendi i ngjarjes me një automjet tip “Volkswagen” me targa të Kosovës. Pronari i eurolotos ka kryer menjëherë denoncimin në polici në lidhje ngjarjen. Efektivat e policisë kanë kryer këqyrjen e vendit të ngjarjes, ndërkohë që kanë identifikuar edhe autorin e dyshuar të këtij krimi. Ai mësohet se është 40-vjeçari Ismet Rryçi, nga Thumana e Krujës. Sipas burimeve nga vendngjarja, dyshohet se autori në momentin që ka kryer krimin, ka qenë nën efektin e alkoolit. Policia ka shpallur në kërkim 40-vjeçarin, i cili akuzohet për veprën penale të “Vjedhjes me armë”.
Policia
Aksion për të disiplinuar trafikun, 8073 gjoba në qarkun e Tiranës
Në vetëm 24 orë, në qarkun e Tiranës janë ndëshkuar 2769 drejtues automjetesh për shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor. Me qëllim disiplinimin e trafikut të ngarkuar, punonjësit e Policisë Rrugore kanë intensifikuar kontrollet dhe patrullat përgjatë akseve kryesore, por edhe brenda në qytet në qarkun e Tiranës. Ndërkohë që nga aksioni i nisur më datën gjashtë shtator dhe deri në ditën e djeshme janë vendosur gjithsej 8073 gjoba ndaj shkelësve të rregullave të qarkullimit. Synimi i policisë është parandalimi i aksidenteve dhe krijimi i lehtësirave për lëvizjen e lirë të mjeteve, gjithashtu edhe kontrollin e trafikut të rënduar sidomos në kryeqytet. Në këtë kuadër, kontrolle të shumta po ushtrohen në drejtim të vendosjes së rripave të sigurimit, kaskës mbrojtëse, kontrollit të shpejtësisë, përdorimit të alkoolit nga drejtuesit e mjeteve e parkimet e gabuara. Një problem shqetësues mbetet edhe trafiku i rënduar në Tiranë, i cili përveç numrit të madh të mjeteve që qarkullojnë, ndodh edhe për shkak të parkimeve dyshe të automjeteve. Nisur nga kjo, do të ushtrohen kontrolle për parkimet e gabuara, në akset e kryeqytetit. Sipas burimeve zyrtare, vetëm ditën e djeshme në qarkun e Tiranës nga shërbimet e policisë janë konstatuar dhe vendosur 2769 gjoba me vlerë 2. 855 000 lekë. Nga këto janë vendosur 2464 gjoba në qytet me vlerë 2.550. 000 lekë, ndërsa 305 janë linje me vlerë 305 000 lekë. Ndërkohë që, si pasojë e shkeljes së rregullave të qarkullimit u pezulluan 8 leje drejtimi. Ndërkohë, për një periudhë pesëditore nga data 6 shtator deri më 11 shtator 2009 nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Rrugore Tiranë, Patrullat e Përgjithshme dhe Shërbimet e Komisariatit të Policisë Kavajë janë konstatuar dhe vendosur këto masa 8073 që kanë një vlerë prej 4. 777. 690 lekësh. Nga këto 5684 janë vendosur në qytet, ndërsa gjoba linje janë 2389. Po sipas burimeve policore, janë pezulluar edhe 36 leje drejtimi. Policia e Tiranës sheh si domosdoshmëri mirëkuptimin dhe mbështetjen e opinionit publik gjatë punës së saj dhe fton të gjithë përdoruesit e rrugës që të ndërgjegjësohen për të zbatuar me korrektësi normat e sjelljes gjatë drejtimit të mjetit dhe rregullat e legjislacionit rrugor, të përcaktuar në Kodin Rrugor. Gjatë muajit shtator është rritur numri i automjeteve në qarkun e Tiranës, duke krijuar vështirësi në qarkullim. Me qëllim parandalimin e aksidenteve, shërbimet e policisë do të vazhdojnë me kontrollet e shumta dhe masat penalizuese ndaj shkelësve të rregullave të qarkullimit rrugor.
Tiranë
Arrestohet 24-vjeçari, kërkohej nga drejtësia për armëmbajtje pa leje
Policia e Tiranës vuri në pranga një 24-vjeçar, i cili kërkohej nga drejtësia. Në prangat e shërbimeve të komisariatit të policisë nr. 5 Tiranë, ra Klevis Halili, banues në Kamëz, Tiranë. Sipas burimeve zyrtare nga policia, ndalimi i tij u krye, pasi Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Tiranë ka lëshuar në ngarkim të tij urdhrin e ndalimit, sepse Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë, me vendim të datës 10 shtator 2008, e ka dënuar me 1 vit e 6 muaj burg, duke e akuzuar për konsumim të veprës penale të “Prodhimit dhe mbajtjes pa lejë të armëve luftarake”. I arrestuari u shoqërua në qelitë e burgut, për të vuajtur dënimin e dhënë nga drejtësia shqiptare.