Elbasan, Topi nderon kujtimin e studenteve

Topi gjate homazheve ne Elbasan
ELBASAN- Presidenti i Republikës, Bamir Topi ka shprehur nga afër ngushëllimet dhe solidaritetin njerëzor e institucional për studentet, të cilat humbën jetën në aksidentin tragjik rrugor të Qafës së Vishës në Himarë, duke bërë homazhe në ambientet e Universitetit Aleksandër Xhuvani në Elbasan.
Natyrisht, jam shumë i pikëlluar të marr pjesë në këtë ceremoni homazh për disa vajza, të cilat ikën në moshën e tyre më të mirë, falë edhe një fati tragjik. Unë dëshiroj nga zemra të jap ngushëllimet më të sinqerta për familjet, për familjarët në përgjithësi, por edhe për shoqet dhe shokët, të cilat kaluan vitet e rinisë në këtë shkollë! Padyshim, fjalët në të tilla raste nuk dalin, sepse tek njeriu dominon dhimbja- tha Topi për gazetarët.
Presidenti i Republikës uroi që ngjarje të tilla të mos përsëriten më, duke shtuar se, në situata të tilla kaq të dhimbshme vëren edhe një virtyt të jashtëzakonshëm të popullit tonë, një solidaritet të paparë, gjë që shikohet kudo.