Elbasan, arrestohet autori i plagosjes së dy fëmijëve
Nuk kanë kaluar as 24 orë nga plagosja e dy fëmijëve më armë gjahu dhe dje pas dite është bërë e mundur ndalimi i autorit të dyshuar. Sipas burimeve zyrtare të policisë, nga ana e seksionit kundër krimeve të personit është bërë arrestimi i 35 vjeçarit Shpëtim Qosja si i dyshuar në plagosjen e dy minorenëve me armë zjarri. Ngjarja për të cilën akuzohet Qosja ka ndodhur në agimin e mëngjesit të një nate më parë në fshatin Mengël të komunës së Labinotit-Fushë.
Të njëjtat burime do të njoftonin se pas një konflikti banal do të plagoseshin me armë gjahu E.S 15 vjeç dhe B.M , 16 vjeç, nga fshati Mengël, të cilët pas kurimit në spitalin kirurgjikal të Elbasanit , ndodhen jashtë rrezikut për jetën. 35 vjeçari Qosja do të shpallej person në kërkim nga policia fill pas kësaj ngjarjeje dhe burimet zyrtare bëjnë të ditur se në momentin e arrestimit , i është sekuestruar në cilësinë e provës materiale edhe arma e gjahut e tipit , teke automatike italiane. Materialet i kanë kaluar prokurorisë së rrethit gjyqësor të Elbasanit për veprime të mëtejshme ku 35 vjeçari akuzohet për Vrasje me dashje e mbetur ne tentativë.