Elbasan, dështon dy herë tenderi për bulevardin “Qemal Stafa”
ELBASAN - Dy herë radhazi ka dështuar tenderi i zhvilluar në Bashkinë e Elbasanit për të investuar në bulevardin “Qemal Stafa”. Tenderi në fjalë është i një vlerë prej 50 milionë lekësh, që do të investohet në pjesën vazhduese të bulevardit, nga kryqëzimi i teatrit “Skampa” deri tek ish-klubi i gjuetarëve. Burimet zyrtare të Bashkisë së Elbasanit pohojnë se ende nuk është caktuar data se kur do të zhvillohet seanca e tretë e tenderit, pasi në dy rastet e tjera ai ka dështuar. Herën e parë është anuluar nga ana e Agjencisë së Prokurimit Publik për mungesë të dokumentacionit të plotë, ndërsa herën e dytë për mospjesëmarrjen e firmave. Gjithsesi, herën e tretë Bashkia e Elbasanit pritet të kryejë një procedurë serioze ndryshe nga ato dy të mëparshmet, me qëllim që në muajin shtator ky investim të kryhet sipas parashikimeve dhe t’i japë bulevardit një pamje si ajo që ka një pjesë e tij prej afro 1 viti. Pas përfundimit të këtij investimi pritet që të marrë fund dhe debati i nisur në Këshillin Bashkiak për hapjen apo jo të bulevardit për qarkullimin e mjeteve. Sipas kryebashkiakut Qazim Sejdini, kur të nisë puna për pjesën tjetër të bulevardit do të shihet mundësia që pjesa që shërben si shëtitore momentalisht të hapet dhe të jetë e kalueshme për automjetet. Ndërsa në fund të investimit, i cili parashikohet të zgjasë 2 vjet, do të hapet i gjithë bulevardi. a.k