E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kanali ujitës rrezikon banorët

 

BURREL - Kanali i Klosit jo vetëm nuk ujit 1200 hektarë tokë, por është kthyer në burim rreziku për jetën e banorëve. Dje rreth orës 14:00 në fshatin Pleshë, prurjet e kanalit të hapur kanë qenë aq të mëdha sa kanë rrezikuar jetën e 30 banorëve, 7 shtëpive dhe të mbjellat e fisit Bala në këtë fshat. Kanali i Klosit është 29 kilometra i gjatë dhe ishte parashikuar të përfundonte më 28 qershor. Punimet një ditë pas votimeve u ndalën. Ndërkohë, dy ditë më parë njëra nga firmat e ndërtimit, që punon në lotin e parë rinisi punimet. Kanali ishte i hapur ndërkohë që shoqata e përdorimit të ujit lëshoi lumin e Matit në kanal pa paralajmëruar më parë duke vënë jetën e banorëve në rrezik. Uji i kanalit që ka ardhur befas vuri përpara gjithçka. Banorët bënë të ditur se edhe disa vite më parë disa shtëpi janë prishur për shkak të shembjes së kanalit të Klosit, ndërkohë një fëmijë humbi jetën tragjikisht. Drejtuesit e firmës së ndërtimit dhe ato të shoqatës së përdorimit të ujit akuzojnë banorët e këtij fshati se janë bërë pengesë për vazhdimin e punimeve, ndërsa banorët thonë se do t’i drejtohen organeve të drejtësisë.                   h. p.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›