E Diel, 1 Nëntor 2026

Thikë 19-vjeçarit, ishin grindur para një jave pas gërvishtjes së makinës

Plagoset Eugert Sina, doli nga bilardoja pranë shtëpisë së tij tek ish-ekspozita “Shqipëria Sot”

Tiranë – Edhe një herë gërvishtja e makinave është bërë shkak i konflikteve, por kësaj here në Tiranë. Edhe pse ja ndarë një javë më parë paq pas gërvishtjes së makinave, dy të rinj duke se nuk e kanë përtypur dot ngjarjen e një jave më parë ndaj dje kanë shkuar të hakmerren me 19-vjeçarin duke e goditur tre here me thike.
Ngjarja
Gjithçka ka ndodhur në orët e para të së hënës, kur i dëmtuari Eugert Sina ka qenë duke luajtur bilardo përpara banesës së tij, tek ish-ekspozita “Shqipëria Sot” në Tiranë. Burime policore thanë se shkak i konfliktit ka qenë grindja e para një jave, kur dy të rinjtë kanë qenë duke udhëtuar me automjet. Ata kanë gërvishtur makinën me mjetin që udhëtonte Sina. Dje në orët e pasmesnatës, janë përballur në bilardon e lagjes më të dëmtuarin. Agresorët, pasi e kanë pritur që të dilte jashtë e kanë sulmuar tre herë me thikë, në pjesën e barkut. Policia tha për gazetën “Albania”, se 19-vjeçari është dërguar në spital ku ka marrë edhe ndihmën e nevojshme. Ndërkohë që dy autorët, bashkëmoshatarë të Sinës, emrat e të cilëve nuk bëhen të ditur, janë shpallur në kërkim nga policia. Ata akuzohen për veprën penale të “Plagosjes me dashje”.
Rasti
Në Berat tre ditë më parë ndodhi një ngjarje e rëndë teksa një person ka ekzekutuar me armë zjarri një të ri pas një sherri pas gërvishtjes së makinës në parking. Krimi ndodhi pas një sherri për motive të dobëta mes dy personave të cilët nuk njiheshin me njëri-tjetrin. Burime nga policia thanë se 26-vjeçari Erion Toska banues në fshatin Duhanas kishte vetëm një javë që ishte kthyer nga Greqia. Paraditen e së shtunës ai po parkonte automjetin e tij në një lagje në Berat kur u gërvisht nga një tjetër makinë pronë e 42-vjeçarit Përparim Mahmutaj. Mes tyre ka nisur një sherr ku pas fjalëve të ndërsjella, Erioni e ka ndjekur Përparimin deri në shtëpinë e tij. Po sipas policisë dyshohet se Mahmutaj i është kundërpërgjigjur 26-vjeçarit me pistoletë duke e qëlluar një herë në kokë. Për pasojë ai ka gjetur vdekjen gjatë transportimit drejt spitalit. Ndërkohë që autori i dyshuar i krimit është shpallur në kërkim.

Aksidentohet kryetari i Bashkisë së Memaliajt

Gjirokastër- Aksidentohet kryetari i Bashkisë së Memaliajt në një përplasje automobilistike. Aksidenti është shënuar pasditen e djeshme në aksin Gjirokastër-Tepelenë. Pëllumb Bodeci udhëtonte me mjetin e tij tip Bens me targa të huaja teksa është përplasur me murin rrethues në afërsi të liqenit të Viroit. I aksidentuari është dërguar menjëherë në spitalin rajonal të Gjirokastrës nga ku mësohet se është jashtë rrezikut për jetën. Policia po heton për shkaqet e këtij aksidenti.

Sulmi fatal nga gjarpri, si i mori jetën vogëlushit

Korçë – Ishte më i vogli i grupit të cilët po ecnin drejt një are të mbjellë me jonxhe dhe destinacioni i tyre ishte një rezervuar ku do të laheshin. Bashkë me vëllain dhe të afërmit e tij, vogëlushi vetëm 5-vjeç po përpiqej t’i ndiqte ata nga pas drejt rezervuarit, kur një gjarpër zgjodhi atë t’i hidhej në kurriz ku dhe e kafshoi. 24 orë pas sulmit nga gjarpri 5 vjeçari ndërroi jetë pikërisht pasditen e djeshme. Ngjarja e rëndë ndodhi mesditën e së shtunës në fshatin Laminot, komuna Pirg e qytetit të Korçës, kur 5-vjeçari V. B., u sulmua nga një gjarpër teksa po kalonte në një arë të mbjellë me jonxhe për të shkuar në rezervuarin e fshatit. Tronditja e vogëlushit i cili ka ndjerë lëvizjet e gjarprit në trup dhe dhimbjet e pickimit e kanë hedhur atë në arë duke vënë alarmin. Të vegjlit lajmëruan menjëherë familjarët të cilët transportuan me urgjencë 5-vjeçarin drejt spitalit të Korçës. Pavarësisht përpjekjeve të mjekëve të Korçës, gjendja e vogëlushit po përkeqësohej, duke detyruar ata ta nisnin drejt spitalit të Tiranës. Ditën e djeshme djali u nis drejt spitalit të kryeqytetit, por ndërroi jetë gjatë rrugës. Sipas mjekëve dyshohet se helmi i zvarranikut është përhapur me shpejtësi në gjak duke i shkaktuar vdekjen djalit të vogël. Trupi i pa jetë i vogëlushit u transportua në morgun e spitalit për ekzaminimet e mëtejshme. Gjatë ekzaminime, mjekët konstatuan kafshime të gjarprit në pjesën e kurrizit dhe në njërën këmbë të 5-vjeçarit.

Shkodër, policia asgjëson 1960 rrënjë bime narkotike

Shkodër - Drejtoria e Policisë së Qarkut së Shkodrës ka asgjësuar gjatë orëve të fundit 1960 rrënjë bimë narkotike. Nga Sektori Kundër Krimit të Organizuar në Drejtorinë e Policisë Qarkut Shkodër në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Shkodër dhe Komisariatin e Malësisë së Madhe dhe Repartin 713 të FNSH-se, u organizua një operacioni me qëllim identifikimin dhe asgjësimin e bimëve narkotikeve në orët e para të mëngjesit, në zonat e Komunës Gur i Zi, Shkodër, dhe Fshatin Boge Komuna Shkrel rrethi Malësisë së Madhe. Burime nga policia thanë se u bë i mundur, identifikimi dhe asgjësimi i gjithsej 1960 rrënjë, bime narkotike Cannabis sattiva, ku në vendin e Quajtur “Bregu i Tanës” të fshati Boge, rrethi Malësia e Madhe, në vend të shpyllëzuar dhe pa pronar të ligjshëm, u gjetën 1 parcele me 365 rrënjë, bime me karakteristika të ngjashme me ato të Cannabis sattiva. Në vendin e quajtur “Meshkall” të fshatit Mazrek, Komuna Gur i Zi, Shkodër, në vend të shpyllëzuar dhe pa pronar të ligjshëm, u gjetën 2 parcela me 215 rrënjë, bimë me karakteristika të ngjashme me ato të Cannabis sattiva. Në vendin e quajtur ‘Shpor”, të fshatit Mazrek, Komuna Gur i Zi, Shkodër, në vend të shpyllëzuar dhe pa pronar të ligjshëm, u gjeten 1 parcele me 70 rrënjë, bimë. Në vendin e quajtur “Maja e Qerpikut” të fshatit Mazrek, Komuna Gur i Zi, Shkodër, në vend të shpyllëzuar dhe pa pronar të ligjshëm, u gjetën 3 parcela me 700 rrënjë, bimë me karakteristika të ngjashme me ato të Cannabis sattiva. Në vendin e quajtur “Terti” në vend të shpyllëzuar dhe pa pronar të ligjshëm, u gjetën 7 parcela me 610 rrënjë. Policia kreu asgjësimin e bimëve me anë të djegies me zjarr i gjithsej 1960 rrënjëve.

Kurbin, dinamit në guroren pranë fabrikës së çimentos, vdes roja rëndë një tjetër

Një shpërthim i fuqishëm ka ndodhur dje rreth orës 19:30 në një gurore në afërsi të fabrikës së çimentos në Kurbin. Ngjarja ka ndodhur në fshatin Gocaj, vetëm 7 km larg qytetit të Lezhës, ku si rezultat ka gjetur vdekjen njëri nga rojet e ndërtesës ndërsa është plagosur rëndë kolegu i tij. Shpërthimi ka ndodhur si rezultat i vendosjes së një sasie dinamiti të vendosur në gurore, për të siguruar nxjerrjen e gurëve. Mësohet se viktima është 45- vjeçari, Zef Simoni, ndërkohë që është plagosur rëndë 55-vjeçari Pal Gjini, i cili është transportuar për në spitalin e Lezhës dhe është jashtë rrezikut për jetën. Simoni nuk ka mundur ti mbijetojë plagëve të marra nga goditja e gurëve që i ranë në trup. Policia ka mbërritur menjëherë në vendngjarje dhe ka nisur hetimet. Ndërkohë është konstatuar se shpërthimi ka shkaktuar dëmtime në një pjesë të fabrikës së çimentos e cila ishte në ndërtim. Fatmirësisht nuk ka pasur njerëz të tjerë në fabrikë, përveç rojeve të cilët nuk janë paralajmëruar për vendosjen e dinamitit.

21 Korrik 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›