Elbasan ekzekutohet me arme zjarri 20 vjecari
Një 20 vjeçar është ekzekutuar në orët e para të mëngjesit në një fshat të Elbasanit. Donald Lamçja me banim në lagjen “Emin Matraxhiu” në qytetin e Elbasanit u qëllua për vdekje me breshëri automatiku nga një person, që sipas policisë tashmë është identifikuar. Në vendin e ngjarjes kanë shkuar ekspertët, policia e grupi hetimor. Pas marrjes në pyetje të dëshmitarëve okularë rezulton se viktima ka qenë duke festuar në një lokal pranë shkollës 9 vjecare në fshatin Buqës. Jashtë ambienteve të lokalit ai është konfliktuar me një person, i cili ka qëlluar me breshëri automatike në drejtim të tij. Më pas autori është larguar me shpejtësi nga vendi i ngjarjes. Për 20 vjeçarin nuk ka pasur asnjë mundësi shpëtimi. Policia e Elbasanit ka deklaruar se e ka identifikuar autorin por për qëllime hetimore nuk bën të ditura gjeneralitetet e tij. Vrasësi është shpallur në kërkim, ndërkohë grupi hetimor po punon për zbardhjen e rrethanave të kësaj ngjarje.