E Shtunë, 31 Tetor 2026

Elbasan, festohet me madhështi Nata e Verës

ELBASAN - Atmosfera e festimeve të natës së verës ka përfunduar sot herët në agim në Sheshin “Gensher” në Elbasan, i cili u mbush plot me qytetarë elbasanas që nga ora 20:00 e mbrëmjes së djeshme, për t’u rikthyer përsëri në orët e para në mëngjes.
Në skenën e ngritur nga Bashkia, koncertet me këngëtarë dhe valltarë të Asansamblit “ Isuf Myzyri”, shoqatës kulturore –artistike "Zana" nga Ulqini dhe ansambli grek nga Selaniku, u ndoqën për rreth tre orë nga një publik i madh, që kishte bllokuar thuajse gjithë bulevardin kryesor të qytetit. Deri në orët e para të mëngjesit sheshet ishin të mbushur plot, pasi vec qytetarëve elbasanas, ndodheshin shumë të ftuar nga rrethet të tjera të vendit.
Dita e Verës është festë e përtëritjes së natyrës e vazhdimësisë së jetës, me prejardhje pagane. Në Elbasan është bërë festë popullore e mbarësisë familjare dhe festohet nga të gjithë, pa dallim. Festohet më 14 Mars, pikërisht kur mendohet se ka filluar mbirja e bimësisë tradicionale si karakaftet dhe manushaqet.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›