Elbasan, i grabitet banesa nënshtetasit amerikan
Një nënshtetas 23- vjeçar amerikan ka rënë viktimë e një vjedhjeje ordinere në banesën e marrë me qira në këtë qytet. Sipas burimeve zyrtare të policisë, dje në mesditë është paraqitur 23- vjeçari John Ryan Leonard, lindur në Amerikë dhe banues në lagjen Dyli-Haxhire të qytetit të Elbasanit, pasi kishte konstatuar se banesa e tij, e marrë me qira në këtë lagje, ishte vjedhur.
Sipas kallëzimit të bërë në polici, është mësuar se autori i vjedhjes në fjalë është 16- vjeçari Jurgen Aloshi, banor i të njëjtës lagje. I njëjti burim policor saktëson se shtetasit amerikan i është vjedhur një aparat fotografik dixhital si dhe 120 dollarë amerikanë. Policia ka bërë të mundur identifikimin dhe kapjen e autorit duke sekuestruar në cilësinë e provës materiale sendet e vjedhura. Prokuroria ka hapur çështjen penale në ngarkim të 16- vjeçarit elbasanas, akuzuar për vjedhje.