E Shtunë, 31 Tetor 2026

Topalli u kërkon grave të Gramshit pajisjen me karta

Kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli gjatë vizitës së zhvilluar në Gramsh u ka bërë thirrje grave të këtij qyteti të marrin pjesë në votimet e 28 qershorit, duke mos neglizhuar pajisjen me letërnjoftime elektronike. Duke ftuar gratë të jenë pjesëmarrëse aktive në votime, tha se ato mbeten besnike të zhvillimit, aleate të ndryshimit për një jetë më të mirë dhe një të ardhme më të sigurt të fëmijëve. Bashkë, këtë vend do ta bëjmë edhe më të bukur. Bashkë do të nxjerrim familje të tjera, shumë familje të tjera nga varfëria. Bashkë do të rrisim edhe më shumë të ardhurat në çdo familje, do të rrisim më tej mirëqenien, ka veçuar ajo. Duke falënderuar gratë dhe të rejat e Gramshit, për besimin dhe mbështetjen që po i japin reformave për ndryshimin e Shqipërisë, ajo i ka cilësuar femrat si gjeneratori i vazhdimësisë së jetës në një Shqipëri që sot ka një imazh tjetër në botë. Gjatë fjalës së saj, Topalli ka premtuar mbështetjen maksimale ndaj grave në mandatin e dytë. Shqipëria ka ndryshuar, jam krenare që ne arritëm të vëmë në vend dinjitetin e mësueseve, infermiereve, pensionistëve duke rritur rrogat dhe pensionet. Më shumë do të bëjmë në mandatin e ardhshëm, sepse gratë e meritojnë, nënat e meritojnë, veçoi kryetarja e Kuvendit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›