Elbasan, komisionerët shkaktojnë probleme me numërimin
Shumë fletë votimi janë deklaruar të pavlefshme për faktin se janë plotësuar gabim nga personat që kanë votuar
ELBASAN - Procesi i ngadaltë u shoqërua edhe nga probleme të tjera, sidomos në KZAZ nr.12 dhe në KZAZ e Librazhdit, por gjithashtu edhe acarime dhe konflikte janë regjistruar edhe në KZAZ nr.14. Kështu, rreth orës 18:00 nga ana e KQZ u konstatua një kuti votimi me probleme.
Në kutinë e qendrës së votimit 2321 në procesverbalin e mbajtur nuk ishin shënuar për një pjesë numrat e kartave të identitetit. Megjithëse e gjithë lista e emrave mbante të dyja firmat e kryetarit dhe nënkryetarit të komisionit, aty nuk ishte shënuar kodi shifror. Kjo ka bërë që kutia të bllokohet deri në marrjen e një vendimi.
Kjo sipas kryetarit të KZAZ nr.12 ka ardhur si pasojë e mostrajnimit të rregullt të komisionerëve të cilët jo se e kanë bërë qëllimisht, por kjo hedh shumë dyshime dhe quhet proces i parregullt. Lidhur me këtë rast, Komisioni, sidomos krahu i djathtë, kanë kërkuar pushim për ta konsultuar këtë rast.
Gjithsesi, ende kjo kuti mbetet e bllokuar. Mesa mësuam, kjo qendër është në lagjen "5 Maj" dhe ka gjithsej 332 votues. Ajo çfarë është vënë re gjithashtu ka qenë edhe mostrajnimi i anëtarëve të numërimit, të cilët kanë vonuar procesin duke krijuar mjaft probleme.
Në Bashkinë Elbasan janë numëruar deri në mbrëmje rreth 23 kuti votimi nga 96 kuti që ka kjo KZAZ. Ndërkohë, problemet e komisionerëve janë konstatuar edhe në Librazhd.
Kështu, në mesditë procesi i numërimit është pezulluar për shkak se komisionerëve iu kanë munguar procesverbalet. Kjo mungesë ka ardhur pasi janë dëmtuar disa të tilla, të cilat janë plotësuar me gabime.
Kjo ka bërë që KZAZ e Librazhdit të kërkojë ndërhyrjen e KQZ-së për sjelljen e procesvebaleve të tjera dhe procesi është rikthyer në këtë qendër.
Problemi më i madh i konstatuar në KZAZ 12 dhe 14 kanë qenë votat e pavlefshme, një tjetër pikë që duhet të marrë vëmendje nga KQZ për shkak se qytetarët kanë bërë shumë gabime në shënimin e votës së tyre.
Fletë të tilla janë të shumta dhe janë përcaktuar të pavlefshme nga Komisioni i KZAZ-së. Rreth orës 20:00 është ndërprerë numërimi në këtë vend numërimi për t'u kthyer në mesnatë.
Ajo që është vënë re në këto KZAZ kanë qenë konfliktet mes komisionerëve dhe vëzhgues-komisionerë. Disa herë acarimet kanë qenë të mëdha, por fatmirësisht sherret janë shuar dhe është vendosur qetësia pa kërkuar ndërhyrjen e policisë. Kryesisht debati është bërë për votat e pavlefshme.
Numërimi i votave në këtë vit është përballur me ngadalësi të theksurara kur janë përmirësuar ndjeshëm transparenca dhe korrektësia, por kanë mbetur prapa procedurat për të përfunduar kutitë e votimit. Vetëm 6 tavolina për 96 qendra votimi për Bashkinë Elbasan nuk kanë mundur të përballojnë edhe këtë fluks duke e bërë shumë të ngadaltë procesin.
Kështu, numërimi filloi rreth orës 02:00 pas mesnate dhe u ndërpre rreth orës 06:00 duke i dhënë mundësinë komisionerëve të pushojnë për tri orë dhe më pas procesi të nisë përsëri rreth orës 09:00. Ndërkohë në KZAZ-në e Bradasheshit e vendosur në shkollën "Dhaskal Todhri" numërimi ka vazhduar deri në kutinë e 13-të duke e lënë procesin për disa orë pushimi dhe duke rifilluar nga ora 12:00. Në Bashkinë Cërrik është mbyllur procesi i numërimit shumë shpejt dhe PS-ja krijoi një diferencë rreth 800 vota me LSI-në.
Numërimi
Mjaft interesante ishte gara elektorale mes këtyre KZAZ-ve. Deri në mbrëmje në KZAZ-në nr.12, që i përket bashkisë së qytetit, socialistët ishin në avantazh 90-100 vota. Ndërsa në KZAZ-në nr.14, që i përket zonave rurale, përkundrazi, kanë qenë në avatazh demokratët me 60-70 vota.
Ndaj dhe interesi i forcave politike dhe kandidatëve për deputetë ka qenë gati i ethshëm. Megjithatë, të gjithë kanë respektuar rregullin dhe ligjin pa ndikuar në procesin e numërimit.
Mirë ka ecur me numërimin KZAZ-ja e Peqinit. Deri në orët e vona të mbrëmjes në këtë KZAZ demokratët ishin në avantazh. Në Cërrik përfundoi numërimi i votave për qytetin dhe vazhdon për fshatrat përreth dhe për qytezën Belësh.
Po kështu edhe në KZAZ-në e Gramshit. Në Cërrik dhe në Gramsh socialistët janë në avantazh.
Deri në orën 15:00 ishin numëruar gjithsej për KZAZ e Bashkisë 16 kuti ku u vu re një epërsi e lehtë e PS-së.
Ndërkohë, u numëruan 22 kuti në KZAZ nr.13, ku PD mori 2934 vota, ndërsa PS-ja 4427. Përsa i përket KZAZ nr.14 deri në orën 15:00 ishin numëruar 7088 fletë votimi, ku PD-ja kishte marrë 2842 vota, ndërsa PS-ja 2928 vota në 40 qendra votimi.
KZAZ nr.17 ishte një tjetër vendnumërimi për qarkun e Elbasanit ku nga 8966 vota, PS-ja kishte marrë 4379 vota, ndërsa PD-ja 3400 vota. Në KZAZ nr. 16 PD-ja kishte një epërsi mbi PS-në dhe numëronte rreth 3273 vota, ndërsa PS-ja 2451, kur ishin numëruar 19 kuti.
Diferenca më e madhe u shënua në KZAZ nr.15 ku ishin numëruar 32 kuti. PS-ja kish regjistruar 3692 vota, ndërsa PD-ja 1908 vota. Një numër të madh votash regjistroi edhe LSI-ja me 758 vota.
Në qarkun e Elbasanit përfundimi i numërimit të votave pritet sot në mesditë. Ngadalësimi i procesit është justifikuar me lodhjen dhe numrin e madh të votave, por një gjë e tillë nuk mund të pranohet me infrastrukturën zgjedhore e krijuar për këto zgjedhje.