E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zgjedhjet, KSHH raporton vërejtjet për procesin

Edhe Komiteti Shqiptar i Helsinkit bëri publik dje raportin paraprak

TIRANË- Komiteti Shqiptar i Helsinkit realizoi vëzhgimin e zgjedhjeve të 28 qershorit 2009, duke aktivizuar 150 vëzhgues të akredituar nga KQZ-ja. Vëzhgimi u bë i mundur edhe në saj të mbështetjes së Ambasadës Amerikane në Shqipëri, duke u shtrirë kryesisht në 8 qarqe të vendit: Tiranë, Gjirokastër, Fier, Durrës, Elbasan, Shkodër, Vlorë dhe Kukës.


Si rezultat i vëzhgimit në 700 qendra votimi, KSHH-ja ka arritur në konkluzionin se në fushën e reformës zgjedhore dhe në zhvillimin e zgjedhjeve, janë bërë hapa pozitivë. Por, Komiteti Shqiptar i Helsinkit nënvizoi edhe mangësi në mbarëvajtjen e këtij procesi. Lidhur me garantimin e pjesëmarrjes së qytetarëve në votime, sipas KSHH-së, janë konstatuar raste të vështirësive të karakterit tekniko-organizativ për zgjedhësit, që kërkonin të pajiseshin me karta identiteti.


"Në takimet që vëzhguesit tanë kanë pasur me këta zgjedhës dhe sipas vëzhgimit në vend, kanë rezultuar raste të ndërprerjes së punës, vonesa dhe sorollatje të qytetarëve, mungesë të energjisë elektrike etj",- thuhet në raportin paraprak të KSHH-së. Të dhënat zyrtare të Ministrisë së Brendshme flasin për rreth 256 mijë persona, që nuk kanë aplikuar për karta identiteti.


"Mendojmë se kjo shifër dëshmon një numër të konsiderueshëm qytetarësh, që nuk kanë pasur mundësi të votojnë. Prandaj, për pajisjen me karta të identitetit të qytetarëve mendojmë se, duhet të ishte bërë një punë konsultative paraprake, në kohën e duhur, ashtu sikurse kishte rekomanduar OSBE/ODIHR-i, qysh në vitin 2005",- thuhet në raport. Në lidhje me listat e zgjedhësve, është konstatuar se, listat paraprake dhe sidomos listat përfundimtare të zgjedhësve, janë shpallur me vonesë, ndërsa sensibilizimi i zgjedhësve për njohjen me këto lista duhet të ishte më intensiv.


Lidhur me listat shumemërore të kandidatëve, KSHH-ja konstaton se, në listat e kandidatëve figurojnë kandidatë me detyrë kryetarë të njësive bashkiake ose komunave, si dhe prefektë që kandidojnë në vendet e tyre, për të cilët rezulton se nuk janë larguar nga detyra në momentin e kandidimit, në zbatim të nenit 69 të Kushtetutës. KSHH-ja evidenton gjithashtu se në përgjithësi ka pasur respektim të procedurave të votimit, por në disa raste është vënë re edhe ndonjë devijim.

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›