E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tiranë. PS-ja fiton në bastionet demokrate

Përmbysje rezultatesh në zonat ku më parë kishte dominuar e djathta. PS-ja në avantazh edhe në minibashkinë nr. 8,


Tirana qarku me numrin më të madh të votave, ka sjellë jo pak surpriza për forcat kryesore politike, por ka sjellë edhe përjashtimin e kreut të LSI-së, Ilir Meta, nga lista e deputetëve fitues.


Panorama e përgjithshme në disa komisione të administrimit të zgjedhjeve, mbrëmë në orët e vona të natës, në Tiranë sillte sjellje korrekte të policisë, besueshmëri në procesin e numërimit të votave dhe rezultate surprizë në zona të cilësuara bastione të partisë në pushtet.


E cilësuar si bastion i së djathtës, nga zona ku përshihet edhe minibashkia nr .8, deri në orën 23:00 të mbrëmjes së djeshme, shënoheshin rezultate që kanë habitur mazhorancën.


Deri në këtë orë, sipas rezultateve zyrtare të shënuara në procesverbalet e KZAZ-së nr.45 pranë Muzeut Kombëtar, kur ishin numëruar më shumë se gjysma e kutive të votimit, Partia Socialiste udhëhiqte me rreth 700 vota kundrejt Partisë Demokratike. Konkretisht, në këtë KZAZ ishin numëruar votat në 25 nga 39 kutitë, me rreth 12 mijë fletë votimi, nga të cilat rreth 5900 i përkisnin Partisë Demokratike dhe 6600 Partisë Socialiste.


Zona në fjalë, gjatë legjislaturës së tanishme, ka qenë e përfaqësuar në Kuvendin e Shqipërisë nga ish-ministri i Jashtëm gjatë viteve të para të qeverisjes së kësaj mazhorance, Besnik Mustafaj, i cili kishte fituar bindshëm kundrejt kundërshtarit të tij socialist, Luan Rama.


Duket se, problemet që kanë shoqëruar marrëdhëniet e Mustafajt me Partinë Demokratike dhe, për më tepër, mosfutja e tij në listat e kandidatëve në këto zgjedhje, ka bërë që, të paktën, sipas rezultateve të dala nga më shumë se gjysma e kutive të numëruara, të krijohet një realitet i ri për këtë zonë.


Në këtë zonë bën pjesë edhe kutia e votimit të Burgut nr. 313, e cila, sipas të dhënave të ofruara nga anëtarët e kësaj KZAZ-je, rezultonte të kishte votuar në shumicë Partinë Demokratike.


E njëjta situatë është parë edhe në disa kuti të minibashkisë nr. 9, ku aty ku më parë ishte bastion i PD-së, rruga "Fortuzi", ka fituar bindshëm PS-ja. Por Tirana vazhdon që të mbetet e balancuar, për faktin se në orët e para të mëngjesit, PD-ja ka parë një lum votash që vinin nga Kamza e porsalegalizuar.


Ndërsa në Komisionin e Zonal të Administrimit të Zgjedhjeve nr. 47, në shkollën "Hasan Prishtina", nën përgjegjësinë e së cilës janë të gjitha qendrat e votimit në minibashkinë nr. 3, rezultati deri në orën 22:30, shënonte një udhëheqje të Partisë Socialiste, me rreth njëmijë vota më shumë se Partia Demokratike.


Kështu, nga 29 kuti të numëruara, Partia Socialiste kishte një rezultat momental prej 3750 votash kundrejt asaj Demokratike, që deri në atë moment kishte siguruar 2710 të tilla.


Deri në orët e vona të mesnatës, rezultati më interesant ishte ai në KZAZ-në nr. 48, vendosur tek shkolla "Bajram Curri", ku dy partitë e mëdha, ajo Demokratike dhe Socialiste herë njëra e herë tjetra udhëhiqnin me një numër të vogël votash, kur ishin numëruar vetëm 20 nga 48 kuti votimi të gjendura në të.


Përveç një numri të vogël KZAZ-sh, të cilat prisnin që numërimin ta mbyllnin deri në orët e para të mëngjesit të sotëm, pjesa më e madhe e tyre parashikojnë që këtë proces ta mbyllin sot në orët e vona të pasdites.

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›