E Diel, 1 Nëntor 2026

Elbasan, kompjuteri nuk njeh shkronjat, qytetarët nuk aplikojnë për karta



Elbasan- Rreth 5 mijë shtetas në qarkun e Elbasanit nuk pranoheshin nga sistemi kompjuterik për të aplikuar për kartën e identitetit pasi sistemi nuk njeh germat Ë dhe Ç. Përveç kësaj sistemi kompjuterik nuk ka pranuar as datën 29 shkurt, që është data e lindjes së disa prej aplikuesve. Shtetasit që kanë pasur probleme me germën Ë dhe Ç si dhe me datën 29 shkurt janë paraqitur për ditë të tëra pranë qendrave të aplikimit për letërnjoftimin elektronik, por nuk kanë mundur të aplikojnë si shkak i këtij ngërçi. Ankesat janë vërejtur jo vetëm në qarkun e Elbasanit por në të gjithë Shqipërinë. Pas ndërhyrjes ekspertët e programit kompjuterik kanë arritur të bëjnë modifikimet e mundshme brenda javës. Punonjësit e qendrave të aplikimit të kartave informuan se aplikuesit nuk do të përballen më me ngërçe të tilla. Aktualisht në të gjithë qarkun e Elbasanit deri tani kanë aplikuar rreth 50 mijë shtetas për letërnjoftimin elektronik ndërsa ka ende komuna ku ky proces nuk ka nisur ende.

Gjen vdekjen polici privat, has në rrymë elektrike te hidrocentrali

Koplik – Një punonjës i policisë private ka gjetur vdekjen në hidrocentralin ku shërbente në sektorin e ruajtjes, informuan për gazetën burime policore. Ngjarja ndodhi dje rreth orës 07:00 të mëngjesit tek Hidrocentrali i Vau-Dejësit. Të njëjtat burime saktësuan se personi që ka humbur jetën është identifikuar si Kujtim Mataj, 41 vjeç banues në Koplik, të Malësisë së Madhe. I ndjeri ishte punonjës i Policisë Private në këtë hidrocentral dhe sipas hetimeve të para të kryera nga policia vendore, ka gjetur vdekjen nga korrenti, në rrethana ende të paqarta, ndërsa po kryente shërbimin në vendroje.

23 Prill 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›