Fondi i Ekselencës, qeveria vendos kushtet për të marrë bursë
Studentët, që do të ndjekin jashtë vendit ciklin e parë, ciklin e dytë dhe ciklin e tretë të studimeve, në njërin prej 10 universiteteve më të mira të botës do të përfitojnë bursa të posaçme nga qeveria. Qeveria, në mbledhjen e djeshme të Këshillit të Ministrave ka bërë disa ndryshime në programin “Fondi i Ekselencës”, duke vendosur kushtet që duhet të përmbushin studentët për të marrë bursë. Konkretisht këto kushte janë: të jenë pranuar në njërin nga 10 universitetet më të mira të botës për të ndjekur njërin nga tre ciklet e studimit; të pranojnë të punojnë, së paku, 5 vjet në Shqipëri, pas përfundimit të ciklit përkatës të studimeve, për të cilin përfitojnë bursën; nuk janë, njëkohësisht, përfitues të ndonjë burse tjetër nga shteti shqiptar dhe nuk kanë të ardhura personale mbi 100 mijë lekë në muaj.
Universiteti i Vlorës, çelet programi i doktoraturës në Matematikë
Hapet programi i doktoraturës në Matematikë në Universitetin “Ismail Qemali” në Vlorë. Rektori i Universitetit të Vlorës, Tanush Shaska shprehet se programi i doktoraturës në Matematikë është i hapur për të gjithë ata që kanë diplomë të nivelit të dytë ose një diplomë ekuivalente në degët e Matematikës, Informatikës, apo Inxhinierisë elektrike. Sipas tij, procesi akademik do të fillojë menjëherë pas përfundimit të regjistrimeve dhe përzgjedhjes së atyre që plotësojnë kriteret e vendosura, ku përfshihet dhe mesatarja e notave.
Muzeu i Shkencave, studentët protestë para Gjykatës së Lartë
Studentë dhe pedagogë të Fakultetit të Shkencave të Natyrës, kanë protestuar mesditën e djeshme, para Gjykatës së Lartë duke kërkuar mbrojtjen e Muzeut të Shkencave me statusin e një objekti të rëndësisë së vençantë. Muzeu, i cili është i rrallë në vendin tonë, llogarit një shumëllojshmëri speciesh të kapura në territorin shqiptar. Gjykata e Lartë pritet të shqyrtojë këtë çështje, ku në konflikt janë ish-pronarët dhe shteti.
23 Prill 2009