Elbasan, korrupsioni dërgon pas hekurave dy turq të firmës Kurum
Drejtori administrativ i kësaj shoqërie, Koray Izytonoglu, ka bërë një ditë më parë kallëzim penal për dy shtetas turq, specialistë pranë kompanisë Kurum në filialin industrial në Metalurgjik të zonës industriale të Elbasanit. Sipas burimeve zyrtare të drejtorisë së policisë për qarkun e Elbasanit, është bërë ndalimi i 31 vjeçarit, Murat Gunderdi, lindur në Turqi dhe banues në lagjen Emin Matraxhiu, me detyrë inxhinier pranë firmës turke Kurum dhe Mustafa Turgul, 45 vjeç po nga Turqia, por banues në lagjen Hekurudha të qytetit të Elbasanit, me detyrë, përgjegjës investimesh pranë të njëjtës firmë turke me të njëjtën akuzë si dhe kolegu i tij duke përfituar rreth 150 mijë Euro.
Përllogaritjet e auditit në kompaninë turke kanë nxjerrë se abuzimet për secilin ishin me rreth 150 mijë euro, të cilët kishin përfituar shumta në fjalë duke rritur artificialisht kostot reale në situacione e preventive të ndryshme për procese të ndryshme punimesh. Mësohet se 31 vjeçari, Gunderdi në profesion inxhinier, ka qenë më parë drejtor i kësaj kompanie në Elbasan, ndërsa Turgul, ka qenë përgjegjës turni dhe aktualisht me të njëjtën detyrë, por për sektorin e investimeve. Pas kallëzimit të bërë nga drejtori aktual, Koray ka qenë sektori i luftës kundër krimit ekonomik në policinë e Elbasanit që ka kryer hetimet e para në bazë edhe të dokumentacionit zyrtar të ofruar nga drejtuesit e firmës turke. Të dy specialistë turq, që jetojnë prej vitesh bashkë me familjet e tyre në qytetin e Elbasanit. Tashmë ndodhen në dhomat e paraburgimit të policisë, në pritje të vendimit për masën e arrestit nga prokuroria. Ndërkohë, materialet në ngarkim të tyre i kanë kaluar prokurorisë së rrethit gjyqësor të Elbasanit për hetime të mëtejshme për veprat penale Mashtrim i kryer në bashkëpunim dhe falsifikim i kryer në bashkëpunim.