E Shtunë, 31 Tetor 2026

Elbasan, masakrohet me sëpatë 91- vjeçarja

Farije Rrançit i është prerë fyti me sëpatë teksa po punonte me shtiza. Vrasësi ka tërhequr trupin zvarrë për 50 metra

ELBASAN- Një 91- vjeçare është gjetur e vrarë në pyll nga nipi i saj teksa po e kërkonte së bashku me banorët e fshatit. Farije Rrançi, 91 vjeç, është gjetur e therur në një pyll teksa kulloste lopët. Ngjarja ka ndodhur në Griqan në vendin e quajtur Fierzë të komunës Labinot në rrethin e Elbasanit. Kur nipi i saj dhe banorët e fshatit po e kërkonin prej orësh pasi nuk ishte kthyer në drekë në shtëpi, zbulimi ka qenë i frikshëm për 15- vjeçarin, i cili fillimisht ka parë këmbët dhe më pas kur ka kaluar gjethet e thara të dushkut ka zbuluar vrasjen e gjyshes së tij. E moshuara kishte një të çarë në fyt që ende nuk dihet se nga çfarë është shkaktuar. Ajo është vrarë në një arë dhe më pas është tërhequr zvarrë për 50 metra ndërsa gjaku ka mbuluar tokën. Pak metra nga kufoma janë zbuluar çanta, trikoja me shtizat që ajo punonte dhe të prera sëpatë që mendohet se mund të jetë përdorur për krimin. Këto kanë qenë të vetmet gjurmë që kanë mbetur në vendin e krimit pasi dëshmitarët e vetëm kanë qenë bagëtitë.

Farije Rrançi jetonte me nusen e djalit dhe nipërit pasi djali i vetëm ishte emigrant në Greqi. Mëngjesin e së shtunës ishte kthyer edhe nipi i saj 15- vjeçari Ibrahimi i cili pasi nuk ka parë gjyshen të kthehet me tre lopët që kulloste si çdo ditë ka kërkuar ndihmën e banorëve të fshatit për ta kërkuar. Krimi i mistershëm është zbuluar aty rreth orës 16.00 dhe për shkak të largësisë është dashur kohë të mbërrijë policia. Të afërmit kanë transportuar trupin e pajetë të të moshuarës në morgun e spitalit të Elbasanit ku pritet të kryhet edhe ekspertiza. Sipas të dhënave të para, goditja fatale ka qenë ajo e një prerjeje në fyt.

Një numër i madh efektivash blu kanë mbërritur në fshatin e Griqanit ku edhe është regjistruar krimi i vrasjes. Deri tani nuk ka asnjë pistë për shkakun që ka sjellë krimin dhe për të dyshuar. Drejtues të komisariatit të Elbasanit bëjnë të ditur se janë marrë në pyetje familjarët dhe të afërm por edhe banorë të zonës. Paraprakisht mësohet se e moshuara nuk ka pasur para me vete duke përjashtuar pistën e grabitjes. Është duke u hetuar në drejtim të një konflikti pronësie ndërsa nuk është përjashtuar edhe pista e vrasjes pas një grindjeje. Gjithsesi vrasja mbetet e mistershme edhe për vetë të afërmit e viktimës të cilët nuk janë në gjendje të japin një shkak që ka sjellë këtë krim. Sabri Skura, djali i motrës së saj, thotë se rreth orës 16.00 janë lajmëruar se është gjetur në pyll e vrarë tezja e tyre. “Ajo ishte 91 vjeç dhe nuk kishte probleme me njeri. Kulloste lopët në pyll dhe nuk dimë se çfarë mund të ketë ndodhur. Nuk di se me çfarë mund të jetë bërë prerja në fyt. Askush nuk ka parë gjë pasi në vendin ku kulloste bagëtitë ka shumë hapësirë dhe njerëzit e tjerë kanë qenë larg. Presim që policia të zbardhë autorin. Tezja jonë nuk e meritonte atë fund”,- tha Sabriu. Ndërkohë hetimet janë përqendruar tek banorët e zonës. Vetëm ata sipas policisë e njohin mirë terrenin dhe mund të kenë organizuar një krim të tillë që deri tani nuk ka një shkak.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›