E Diel, 1 Nëntor 2026

Vlorë, policia dhunon pasagjerët e tragetit

Shtetas italianë dhe shqiptarë kanë denoncuar dje dhunën e pësuar dhe aferat korruptive në portin e Vlorës

Policia: Vepruam sipas ligjit, kemi nisur hetimet për agjencinë e shitjes së biletave

VLORË- Disa shtetas të huaj dhe shqiptarë kanë denoncuar dje policinë e Vlorës për dhunë të ushtruar ndaj tyre si dhe për afera korruptive që kryhen nga efektivët e policisë në ambientet e portit. Sipas denoncuesve, ngjarja ka ndodhur në kalatën e portit të Vlorës, teksa kanë kërkuar të iknin me tragetet e linjës drejt Brindizit. Ata pretendojnë të kenë pasur bileta të rregullta për tragetin “Kapiten Aleksandros”, të prenotuara kohë më parë, por janë zbritur nga trageti duke iu thënë se do të imbarkoheshin te trageti tjetër. Madje punonjësit e portit u kanë kërkuar atyre para më shumë për të hipur në traget.

Sipas denoncuesve, ata kanë prej dje në ambientet e drejtorisë se policisë, ku kanë qenë të shpërfillur dhe e kanë ndjerë veten edhe të keqtrajtuar psikologjikisht. Një shtetas shqiptar nga Mirdita që udhëtonte me bashkëshorten italiane tregojnë se janë nxjerrë ashpërsisht nga radha, pasi personat pas tyre kanë paguar një shumë euro për të ikur para tyre. “Filluam me 5 euro të paguanim, deri në 25 dhe nuk kisha pse të vijoja të paguaja kur kisha biletë të rregullt të prenotuar më parë, vajtje ardhje. Këtu nga tragetet dhe vetë punonjësit e sigurisë, të lidhur me njëri tjetrin, merr shijen më të hidhur të udhëtimit”,- thotë 25 vjeçari Ndue Deda. Bashkëshortja e tij italiane, Eliza pohon po të njëjtin fakt. Ndërkohë shtetasi italian Giovani Fresta tregon se është dhunuar edhe nga policia e portit. “Unë ndodhesha me mjetin tim dhe teksa po imbarkoheshim tek trageti ku kishim prerë biletën, na thanë se tek ky nuk ka vend. Duhet të ndërronim traget nëse duhet të iknim dhe te tjetri duhet të paguanim edhe një herë biletën, pasi kjo nuk quhej e vlefshme. Kishim paguar nga 5 e 5 deri sa na shkuan 25 euro për të kaluar deri aty te policët. Nuk e pashë të udhës të paguaja ende. Kështu që kundërshtova. Kundërshtuan edhe të tjerë, që ishin me makina. Gjendja u tensionua dhe nuk e kuptova si më qëlluan. Kërkuam një ambulancë e talleshin me ne se na thoshin që nuk ka të tillë. Në këtë pikë nuk dinim ç’të bënim”,- tregon italiani. Ai dhe pasagjerët e tjerë deklarojnë se kanë shenja dhune dhe kanë vënë në dispozicion edhe foto të bëra nga vetë ata.

Por çështja shpjegohet ndryshe në drejtorinë e kufirit të Vlorës, ku mësohet se shtetasit që do të largoheshin kanë reaguar ashpër dhe kanë bllokuar kalimin e dhjetëra mjeteve të tjerë. Burime kofidenciale nga hetimorët e policisë së Vlorës pohojnë se vetë shtetasit kanë reaguar ashpër pasi kanë kërkuar të iknin patjetër ditën e djeshme me pretendimin e biletave të rregullta, dhe më pas dyshohet të ketë pasur reagim të dhunshëm edhe nga ana e punonjësve shqiptarë. Lidhur me këtë ngjarje kreu i policisë së Vlorës, Vehbi Bushati, pohoi se

ka nisur procedimi penal për agjencinë që ka shitur biletat. “Duam të sqarojmë opinionin publik se veprimet e policisë kanë qenë në përputhje me etikën dhe ligjshmërinë e shtetit shqiptar. Sqarojmë se është rasti i vetëm që kemi ndeshur gjatë këtij sezoni. Rasti në fjalë ka të bëjë me abuzime që bëjnë agjencitë e shitjes së biletave të tragetit”,- tha kreu i policisë së Vlorës. Momentalisht kjo çështje po hetohet edhe nga Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm të Policisë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›