E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sançez drejt Barcelonës, firma është shumë pranë

Aleksis Sançez është vërtet një hap larg Barcelonës. Gazetat kiliane kanë publikuar sot lajmin se mesfushori i avancuar i Udinezes do të kalojë në “Kamp Nou” për sezonin e ardhshëm. Madje, ai ka ndërmend të marrë leje nga trajneri i kombëtares Borghi për të shkuar në Spanjë ditën e martë, kur pritet të përfundojë edhe transferimi.

Sipas shtypit amerikano-jugor, Sançez ka lajmëruar edhe familjen e tij për kalimin te kampionët e Evropës. Nga tratativa, Udineze do të përfitojë 28 milionë euro, plus disa bonuse. Në këtë mënyrë, Barça ka mundur Mançester Sitin në betejën për të marrë talentin e Udinezes. Duket se edhe familja Poco, pas disa refuzimeve, ka dhënë OK-in e saj për këtë kalim.

Propozimi i Barcelonës ka qenë tepër konkret: asnjë futbollist nuk do të shkojë në “Friuli”, por do të jepen vetëm para cash. Në këtë mënyrë, duket se merr fund një nga tratativat më të komplikuara të kësaj vere. Në skuadrën kiliane, gazetarët e kanë patur të pamundur të kontaktonin me Sançez ditën e djeshme, për shkak të izolimit që i ka bërë skuadrës trajneri Borghi. Gjithsesi, ai i ka dhënë leje futbollistit të tij që të largohet për dy ditë, në mënyrë që të firmosë kontratën me katalanasit.

Marrja e Sançez bën që Barcelona të heqë dorë nga italiani Xhuzepe Rosi, i cili duket se është “peng” i kërkesave të larta ekonomike të Vilarealit. “Nëndetësja e verdhë” ka kërkuar 30 milionë euro për kartonit e sulmuesit, një shumë e konsideruar e tepërt nga presidenti Sandro Rosell, që nisi të hidhte sytë nga një tjetër talent, Aleksis Sançez.
(e.m/A.Latifi/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›