Elbasan, qendër këshillimi për përdoruesit e drogës
Përdoruesit do të kenë mundësinë të këshillohen dhe të marrin mjekime. Qendra edhe për sëmundjet seksualisht të transmetueshme
ELBASAN- Hapet në Elbasan qendra e këshillimit dhe terapisë për përdoruesit e drogës dhe sëmundjet seksualisht të transmetueshme. Kjo qendër do të ofrojë, veç këshillimit, edhe terapi të përditshme me metadon për përdoruesit duke zgjidhur në këtë mënyrë me një terapi të vazhdueshme varësinë dhe problemet e tjera që sjell droga. Përfaqësuesi i shoqatës, Genci Muçollari, që mbështet projektin e licencuar nga Ministria e Shëndetësisë, tha se aktiviteti i kësaj qendre do të zbusë një fenomen përdorues të drogës duke ofruar terapi dhe këshillim për të gjithë. "Kjo qendër do të ofrojë falas një preparat për të gjithë përdoruesit e drogës që ata të trajtohen e të bëjnë një jetë pothuajse normale ndërkohë që terapia është e përditshme. Kjo terapi bashkë me këshillimin dhe mbështetjen do të zbusë mjaft këtë problem të madh social duke i kthyer përdoruesit e drogës mbrapa dhe duke i ri integruar në shoqëri. Është një barrë shumë e madhe familjare por edhe shoqërore për përdoruesit e drogës që përdorin çdo ditë apo dy-tri herë në ditë drogë",- tha ai.
Veç terapisë, kjo qendër ofron edhe këshillim për sëmundjet seksualisht të transmetueshme që mund të përhapen lehtësisht nëpërmjet shiringave të drogës. Një qendër e ngjashme është hapur në vitin 2005 në Tiranë. "Ka pasur shumë raste nga Elbasani që kanë ardhur të mjekohen në Tiranë. Them që për Elbasanin është një fenomen shqetësues. Nga eksperienca e hapjes së qendrave të tjera zbuluam që ka shumë përdorues, shumë drama familjare brenda mureve të shtëpisë. Këto qendra u vijnë në ndihmë rasteve të tilla. Pacienti ose i riu që do të marrë terapinë në këtë qendër mund të kthehet në jetën normale të përditshme. Kjo është një terapi afatgjatë dhe nuk mund t'ia hedhësh për dy- tre muaj. Qëllimi i terapisë është të ndiqet dhe të gjithë bashkë, shoqëria familja dhe strukturat tona duhet të angazhohen që pacienti të ndjekë këtë terapi dhe të ketë efekt në lënien e drogës",- tha Muçollari.
Ndërkohë, drejtori i Qendrës spitalore, Pjerin Xhuvani, tha se kjo qendër do të ketë të gjithë mbështetjen e spitalit dhe gjithashtu siguroi pakësimin e krimeve ordinere si vjedhjet me trajtimin e të rinjve me terapinë ditore të kësaj qendre të re për Elbasanin. "Hapja e kësaj qendre do të sjellë përmirësimin e situatës për të bërë të mundur që këta njerëz t"i kthehen jetës normale nëpërmjet terapisë dhe mbështetjes. Është një punë e veçantë e vështirë por ne do të vazhdojmë që këta persona të kthehen në shoqëri. Për mua kjo qendër është shumë e mirë.
Mund të them që për një kohë të shkurtër nuk do ketë më kasetofonë të vjedhur natën apo pasqyra makinash që janë fenomene të pranishme dhe që bëhen kryesisht nga njerëz që duan të sigurojnë dozën e radhës së drogës. Ne do të bëjmë tonën me mbështetje burimesh njerëzore dhe materiale që raste të tilla të ketë sa më pak", pohoi Xhuvani. Drejtori i spitalit tha se në Elbasan janë rreth 100 përdorues të rregullt të deklaruar por mund të jenë edhe më shumë të padeklaruar. Sipas tij, zona ku rezulton të jetë më problem për shkak të numrit më të vogël të popullsisë janë Gramshi, Belshi dhe me pak Cërriku.
Për Elbasanin nuk ka statistika për shkak të përzierjes së popullsisë dhe numrit të madh të saj. Qendra për mbështetjen dhe terapinë për drogën dhe sëmundjet seksualisht të trasmetueshme do të jetë e hapur çdo ditë me specialistë të fushave dhe personel në shërbim të çdo interesimi qytetar.