Fier, punëtorët në protestë për pagat
Punëtorët kanë më shumë se gjashtë muaj që nuk janë paguar për punimet në rrugën Levan-Tepelenë
FIER- Soset durimi i punëtorëve të autostradës Levan -Tepelene për të marrë pagat e prapambetura dhe këtë herë ata i janë rikthyer protestave duke bllokuar edhe makinat e punës. Më shumë se 100 ish- punonjës të autostradës janë mbledhur në trasenë e kësaj rruge në ndërtim që përshkon zonën e Frakullës. Fillimisht ata kanë zënë të gjithë gjerësinë e rrugës dhe duke hedhur parulla kundër qeverisë dhe Ministrisë së Transporteve kanë kërkuar pagat e prapambetura prej disa muajsh. Më pas ish -punonjësit i janë drejtuar vendit ku qëndronin të bllokuara 30 mjete të tonazhit të lartë që përdoreshin për ndërhyrje teknologjike gjatë ndërtimit të rrugës.
"Kam gjashtë muaj që nuk jam paguar. Kam familje dhe vetëm me punën time mbahet ajo", ka thënë Sokol Toska, ish- punonjës. Po ashtu një tjetër ish-punonjës, Vasili ka thënë se mbi 120 kolegë të tij nuk janë paguar për më tepër se gjashtë muaj. "Ka që nuk janë paguar për tetë muaj, por ka edhe nga ata që kanë pak më pak, pesë muaj. Duhet thënë se mbi 120 punonjës kanë pa marrë pagat e tyre nga 5-9 muaj".
Nga ish- punonjësit protestues mësohet se në muajin tetor firma që kryente punimet në autostradë ka lënë në shenjë pengu mjetet teknologjike.
Sipas kryetarit të komunës Frakull, Viktor Çervanaku, i cili është në mbështetje të 120 punonjësve, pagat e pashlyera për këtë numër të madh punonjësit shkon në 70 milion lekë të reja. "Ka specialistë që kanë punuar me dy turne dhe sot nuk kanë bukë në shtëpitë e tyre. Këtu duhet të ndërhyjë shteti", ka thënë kryetari i komumës Frakull.