E Diel, 1 Nëntor 2026

Elbasan, shtatë drejtorë shkollash pa diploma

Në një intervistë për “standard”, drejtorja e sapoemëruar e Arsimit në qarkun e Elbasanit, zonja Mimoza Matraxhiu, ka renditur disa prej problemeve serioze me të cilat është ndeshur sapo është ulur në postin e saj, me fakte të tilla si drejtorë shkollash pa diploma, arsim përkatës dhe mësues me mungesa të theksuara në formimin e tyre profesional. Ajo ka shprehur vullnetin për të spastruar të paaftët dhe për të zgjidhur sipas saj “lëmshin” që ka gjetur në administratë.

Zonja Matraxhiu, prej 2 muajsh jeni drejtore e DAR Elbasan. Me cilat probleme u përballët dhe cila është zgjidhja e tyre?

Po, është e vërtetë, prej dy muajsh kam marrë emërimin nga ministri i Arsimit si drejtore e DAR Elbasan, pas një eksperience të gjatë pune në sistemin arsimor në disa shkolla. Kam gjetur një situatë kaotike, një “lëmsh” të vërtetë, një administratë të shkrehur, të pamotivuar, emërime skandaloze, drejtorë shkollash me mungesë të formimit të tyre profesional, madje edhe pa arsim përkatës, mësues të cilët ishin marrë me kontrata dhe definitive, por që nuk dihet se kush i paguante dhe si paguheshin, pra me shumë probleme. Gjeta gjithashtu afro 100 klasa që nuk bënin fare mësim në shkolla të ndryshme të qarkut, klasa me mbingarkesë, mësues me mesatare të lartë që sorollateshin dyerve, qindra të tjerë që zinin radhën prej muajsh për të gjetur vendin e tyre të punës. Problemeve unë dhe shefi i ri i kuadrit u vumë vullnetin për t’i zgjidhur duke punuar prej dy muajsh orar pa orar, madje deri në orën nëntë të darkës, duke sistemuar deri diku diçka. Mbetet akoma për të bërë. Elbasani nuk e meriton këtë situatë në të cilën e kishin denigruar ish-paraardhësit e mi, ndaj mendoj se kemi akoma punë në zbatimin e reformave radikale, duke shkulur mendimin e shumicës se me para mund të gjesh vendin e duhur në arsim, se me para mund ta blesh vendin e punës. Duam të largojmë seksero-drejtuesit dhe seksero-arsimtarët e lidhur me afera korruptive dhe deklaroj se do ta bëj një gjë të tillë.

Cilat janë disa prej objektivave që mendoni se do të arrini në punën tuaj si drejtuese e arsimit në qarkun më të madh të vendit pas Tiranës?

Ato janë të shumta, si rritja e cilësisë në shkolla, duke nisur nga personeli, drejtuesit, duke larguar ata të lidhur me afera korruptive, pa arsimin përkatës, mësues të cilët janë emëruar në 3-4 muajt e fundit pa asnjë motivacion profesional, por mbi kritere paaftësie dhe korruptive, rritja e aftësisë në mësimdhënie, ulja e numrit të nxënësve në klasa, pajisja e shkollave me mjetet e pajisjet e duhura didaktike, rritja e shkallës së investimeve, rritja e volumit të punës dhe shkundja e apatisë tek drejtorët e shkollave dhe mësuesit abuzantë etj. Sapo kam ardhur, kam anuluar emërimet definitive, të cilat më kanë rezultuar se ishin bërë brenda pak ditëve kur ish-drejtuesit nuk kishin asnjë të drejtë ligjore t’i bënin ato, kam vendosur kritere, madje të afishuara, në ambientet e DAR-së për emërimet e reja, kam eliminuar shkeljet ligjore të bëra me kontratat e leje-lindjeve dhe të punësuarve provizorë. Një tjetër objektiv imi mbetet edhe ulja në zero e përqindjes së atij kontigjenti që mendon dhe e braktis shkollën, dhe kjo kryesisht tek shkollat e ciklit 9-vjeçar.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›