E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Fasada gri”, arrestohet specialisti i prokurimeve për korrupsion pasiv

Policia e Shtetit ka arrestuar një specialist prokurimesh, i cili akuzohet për veprën penale të korrupsionit pasiv. Shefik Gjata, 54 vjeç, ka rënë në prangat e uniformave blu, pasi ai, duke përfituar nga detyra, i ka bërë presion një firme ndërtimi për të marrë një mijë euro ryshfet. Pas një operacioni të koduar, “Fasada gri”, nga ana e Drejtorisë Kundër Krimit Financiar në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit në bashkëpunim me Prokurorinë Task Forcë u arrestua në flagrancë 54-vjeçari. Sipas policisë, Gjata akuzohet se ka përdorur statusin e tij si person që ushtron funksione publike për të përfituar në mënyrë të paligjshme para.

Gjata, me profesion inxhinier, ushtronte detyrën e specialistit të prokurimeve pranë shtëpisë se pushimit të Ministrisë së Brendshme në Durrës. Sipas burimeve të policisë, 54-vjeçari kishte filluar që t’i bënte presion një firme ndërtimi. Ajo ishte marrë me rindërtimin e një godine të shtëpisë së pushimit, në të cilën ai punonte. Megjithatë, specialisti i prokurimeve kishte kërkuar para nga përfaqësuesit e firmës, në këmbim të marrjes në dorëzim të ndërtimit. Shuma e kërkuar nga Gjata ishte një mijë euro. Nisur nga kjo, nga ane përfaqësuesve të firmës, është kërkuar ndihma e Policisë së Shtetit, e cila ka nisur nga puna për zgjidhjen e këtij problemi. Hetuesit kanë filluar që të vëzhgojnë specialistin e prokurimeve dhe më pas ta kapin atë në flagrancë.

Duke përdorur metoda speciale të hetimit nga ana e Drejtorisë Kundër Krimit Financiar është bërë arrestimi i tij menjëherë sapo ka marrë nga përfaqësuesi i firmës së ndërtimit shumën e 1 mijë eurove. Tashmë 54-vjeçari është çuar në mjediset e paraburgimit, ku pritet të dalë përpara drejtësisë shqiptare, me akuzën e korrupsionit pasiv.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›