E Shtunë, 31 Tetor 2026

Elbasan, trakte naziste nëpër qytet

 

Fletushkat njoftojnë krijimin e partisë naziste shqiptare. Reagojnë qytetarët: Është e turpshme

Policia nis hetimet: Fletushkat dyshohet se janë lojë të rinjsh, që janë nxjerrë nga interneti

ELBASAN-Mëngjesin e djeshëm, në ambiente të ndryshme të qytetit të Elbasanit janë parë të shpërndara trakte naziste. Në fletushkat e shpërndara njoftohet krijimi i një partie të re, partia naziste shqiptare dhe i bën lavde kohës së Hitlerit. Qytetarët që janë gjendur përballë këtyre trakteve kanë reaguar ashpër, kush duke e cilësuar si lojë e kush si diçka më tepër se kaq. Por të gjithë, janë shprehur të indinjuar dhe kanë kërkuar nga policia që të hetojë. Sipas burimeve policore, mësohet se gjithçka është një lojë të rinjsh dhe nuk ka ndonjë bazë të vërtetë në krijimin e një partie të re. Pavarësisht kësaj, sipas burimeve policore hetimet kanë nisur.

Traktet

“Partia Naziste Shqiptare, vetëm Hitler”.Kjo ka qenë faqja e parë e trakteve të shpërndara dje nëpër Elbasan. Në faqen e dytë të këtij materiali shkruhet se kjo parti e re do të luftojë për shpirtin dhe për zemrën e popullit shqiptar, duke kujtuar edhe armiqtë e tij. Më tej në faqet e tjera jepet një biografi e njeriut që tmerroi botën, Hitlerit. Ky trakt, që përmban gjithsej pesë fletë, mbyllet me pamjen e Hitlerit para kullës Eifel në Paris. Të gjithë ata që kanë qenë të ngeshëm kanë mundur të lexojnë dje një biografi të përmbledhur të Hitlerit, që nga lindja e tij, shkollimi, koha e kaluar në burg, familja dhe prindërit e tij, dashuria për Evën dhe fundi vetëflijues.

Gjithçka me nota patetike, shkruar si për një njeri të madh, pa përmendur asgjë nga fatkeqësitë pa fund që shkaktoi.

Qytetarët

Trakti ka tërhequr vëmendjen e disa qytetarëve, të cilët i kanë quajtur lojëra të personave të papërgjegjshëm. Ata e kanë dënuar shpërndarjen e tij dhe nuk e konceptojnë ekzistencën e një partie naziste nëvendin tonë. “Edhe krijimin e një partie të Hitlerit kemi mangët”,- shprehet qytetari Hyqmet Krati. Sipas tij, ky trakt është një turp. “Nuk mund të imagjinohet një parti naziste. Nazizmi shkaktoi shumë vuajtje dhe humbje për popullin hebre, por edhe për të gjithë popujt e tjerë që pësuan shumë humbje nga mendja e çmendur e Hitlerit. Nëse vërtet dikushka ndërmend që të krijojë një parti të tillë mund të them se është i krejtësisht i çmendur dhe është shteti ynë që duhet të mos lejojë lojëra të tilla aspak normale”,- thotë i revoltuar ai. Madje, ka kërkuar nga policia që të gjenden autorët, pasi qyteti nuk ka mangut probleme të tilla, aq më tepër nëse kanë ndonjë prapavijë. Ndërkohë, Xhevahir Kapllani, një tjetër qytetar, pasi ka parë këtë trakt thotë se nazizmi është një e shkuar tragjike e njerëzimit dhe nuk duhet të jetë as e tashme dhe as e ardhme.

Policia

Nisur nga këto fletushka të frikshme, policia e informuar lidhur me shpërndarjen e tyre në qytet, bën të ditur se numri i trakteve nuk ka qenë i madh. “Autorët dyshohet të jenë të rinj, që kanë shkarkuar nga interneti dhe kanë vendosur të shpërndajnë disa kopje për të tërhequr vëmendjen”,- thonë burimet policore. Burime nga komisariati bëjnë të ditur se janë duke u grumbulluar informacione për të mbërritur tek autorët e kësaj fletushke që ka qarkulluar në qytet. Ndërsa besohet pak se shpërndarja e fletushkës ka si synim krijimin e vërtetë të partisë naziste shqiptare, por vetëm rikthimin e një imazhi historik që i gjithë njerëzimi po përpiqet ta harrojë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›