Gjirokastër, mbytet në Vjosë 38-vjeçarja
Marjeta Shoshaj, 38-vjeç, kamariere në një nga lokalet e Këlcyrës, humbi jetën në ujërat e lumit
Gruaja rrëshqiti në lumë dhe u përpi nga rrjedha, në kohën që tentonte të freskonte fytyrën
Gjirokastër-Ka dashur të freskohet në ujin e Vjosës, por e ka paguar me jetën e saj. Marjeta Shoshaj, 38-vjeç, nga fshati “Asim Zeneli” në Gjirokastër, ka humbur jetën në orët e mbrëmjes së të premtes në rrjedhën e lumit Vjosa, në afërsi të Këlcyrës-Përmet. Sipas policisë, 38-vjeçarja punonte kamariere në një prej restoranteve në bregun lindor të lumit Vjosa, rreth 2 km në të hyrë të qytetit të Këlcyrës, në një vend mjaft të frekuentuar nga njerëzit për shkak të pozicionit gjeografik të lokalit.
***
Sipas pronarit të lokalit, viktima pak para se të mbytej kishte shfaqur ankesa për gjendjen e saj shëndetësore, pasi i dhembte koka dhe ndjente vapë. Për të freskuar fytyrën dhe duart, ajo gjeti momentin që në lokal nuk kishte shumë frekuentues dhe zbriti rreth 30 metra poshtë, në rrjedhën e lumit Vjosa, në vendin e quajtur nga banorët “Guri i Zi”.Pasi është freskuar në fytyrë dhe duar, ajo është nisur për t’u rikthyer në vendin e punës. Në momentin që kapërcente një rrjedhë uji mes dy gurëve, asaj i ka rrëshqitur këmba dhe ka rënë në ujë. Pas kësaj 38-vjeçarja është zhytur në lumë, ku e ka përpirë vala dhe më pas rrjedha thithëse e lumit në këtë vend që konsiderohet mjaft e rrezikshme nga banorët e Këlcyrës. Pothuajse të gjithë skenën e ka parë një çoban nga lartësitë, i cili ndonëse vërshëlleu nuk arriti të dëgjohej nga askush.
***
Pasi janë bërë merak, të zotët e lokalit ku punonte viktima, kanë dalë të kërkojnë atë në anë të lumit dhe menjëherë kanë lajmëruar policinë. Pas disa orë kërkimesh, kufoma e gruas është gjetur nga punonjësit e lokalit ku ajo punonte rreth një kilometër poshtë lokalit, në stacionin e pompave të ujit të pijshëm të Këlcyrës, afërsisht rreth 30 metra poshtë lokaleve të tjera të ndërtuara në grykë të Këlcyrës. Nga deponimet e bëra në policinë e Përmetit, kolegët e viktimës kanë thënë se i kishin parë të gjitha veprimet e 38-vjeçares fatkeqe. Policia nga ana e saj ka kryer të gjitha veprimet e duhura proceduriale dhe grupi hetimor ka konstatuar se në trupin e viktimës nuk kishte shenja dhune, apo plagë të ndryshme. Materialet për këtë ngjarje i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Gjirokastër për veprime të mëtejshme. Sipas policisë, Marjeta Shoshaj punonte prej disa kohësh në këtë lokal, madje dhe jetonte në një prej dhomave të hotelit aty pranë, pas ndarjes me bashkëshortin. Ajo ka lënë jetim një fëmijë tetë vjeç, i cili jetonte me prindërit e saj.