E Shtunë, 31 Tetor 2026

Elbasan, u shpërndahen vendorëve listat e zgjedhësve

15/02/2009  Disa votues jo të saktësuar qendrën e votimit

Prefekti i Elbasanit, Shefqet Deliallisi, ka organizuar takim të zgjeruar me të gjithë përfaqësuesit e pushtetit vendor dhe gjendjeve civile duke i shpërndarë atyre listat e zgjedhësve. Në këtë takim ai ka kërkuar që të rakordohen emrat e votuesve me qendrat e votimit. “Ju kam thirrur për t’ju dorëzuar listat e votimit për të gjitha njësitë vendore. Listat janë të pastruara nga dublikimet. Problemi është 98% i zgjidhur. I vetmi shqetësim mbetet për disa persona që ekzistojnë në njësitë tuaja vendore, por nuk kanë të saktë qendrën e votimit. Kjo shifër përbën vetëm 2-3% të zgjedhësve. Fjala vjen në një komunë mund të jenë 30-40 persona që janë në lista, por nuk dihet se në çfarë qendre do të votojnë”. Prefekt ka lënë për detyrë që kjo mangësi të rregullohet në kohë nga drejtuesit e bashkive dhe komunave në mënyrë që persona të tillë të kenë mundësi të votojnë tek qendra e votimit ku banojnë. Në të njëjtën kohë prefekti u ka kërkuar vartësve të tij që të heqin nga lista gjitha ata shtetas që janë larguar nga territori që mbulojnë, që vdesin gjatë kësaj periudhe, që largohen për motive të ndryshme dhe të kryejnë azhornime në lista me personat që mund të kenë ardhur gjatë kësaj kohë. Deliallisi kërkoi që ky proces të përfundojë brenda muajit shkurt. Çdo njësi vendore është pajisur me paketën e posaçme e cila përmban udhëzimet, programin kompjuterik, kopje e Kodit të Ri Zgjedhor si dhe listën e zgjedhjeve. Prefekti i Elbasanit ka kërkuar bashkëpunim mes kryetarëve të njësive vendore dhe punonjësve të gjendjeve civile. Qarku i Elbasanit numëron rreth 430 mijë shtetas të vendosur në 47 bashki e komuna.

L. Lleshi

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›