E Shtunë, 31 Tetor 2026

Të hënën nis ndarja e suplementit në Universitete

15/02/2009  Formati i diplomave nuk do të ndryshojë, shtohet suplementi i karrierës 3-vjeçare

Shtesa do të specifikojë karrierën 3-vjeçare të studimeve të arritura nga kandidati

Asnjë ndryshim nuk do të reflektohet në formatin e diplomave me të cilat do të pajisen studentët që kanë mbaruar aktualisht ciklin e parë të sistemit të Bolonjës, por këtyre të fundit do t’u shtohet një tjetër suplement, në të cilin do të evidentohet karriera 3-vjeçare e kandidatëve që do të pajisen me të. Ky është vendimi i komunikuar dje nga kreu i dikasterit të arsimit Fatos Beja. Pavarësisht protestave të vazhdueshme dhe kërkesave të depozituara me forcë nga studentët për ditë me radhë, formati i diplomave do të mbetet po i njëjtë. Ndërkohë përcaktimi dhe specifikimi i titujve dhe fakultetit ku kandidati ka mbaruar studimet do të bëhen vetëm pas mbylljes së dyvjeçarit, kohë në të cilën do të pajiset me shtojcën e diplomës për studimet “master” që do të kryejnë. Ndërsa në suplementin që do të shoqërojë diplomat e nivelit të parë do të jenë të detajuara të gjitha të dhënat dhe karriera e kryer nga studenti gjatë viteve të studimit të shkollës së lartë. Kësaj diplome do t’i shtohet nga pas një suplement, i cili do të qartësojë më tej njohuritë që ka marrë studenti gjatë tre vjetve të shkollimit. Beja ka pohuar ditën e djeshme se duke filluar nga dita e hënë suplementi do t’u shpërndahet të gjitha universiteteve në vend. Sipas tij, ky ndryshim do t’u vijë në ndihmë studentëve, pasi do t’u krijojë më shumë hapësirë në tregun e punës, duke i bërë ata më të përshtatshëm kundrejt kësaj strukture dhe nevojave reale të tregut të punës. Gjithashtu Beja ka treguar dhe ndryshimin konkret që është bërë në një pikë të udhëzimit, që ka të bëjë me formulimin e diplomës, nismë e cila do të jetë kompetencë e senatit akademik, ashtu siç e ka parashikuar edhe ligji i arsimit të lartë që është në fuqi. Sipas ministrit, politika e qeverisë për arsimin është të rrisë numrin e të diplomuarve, në mënyrë që të arrijmë si vendet evropiane, por nuk mund të ketë vende pune të planifikuara.

Suplementi

Duke filluar nga dita e hënë, në universitete do të shpërndahet suplementi i ri, që do të shoqërojë diplomën e nivelit të parë të sistemit të Bolonjës. Nëpërmjet këtij suplementi do të evidentohet periudha dhe karriera e studimeve të kryera nga kandidati përgjatë 3 vjetve të shkollës së lartë. Ndërsa formati i përcaktuar për diplomën nuk do të ndryshojë, do të mbetet po ai variant që është miratuar, veçse do t’i shtohet një suplement. Pavarësisht protestave të vazhdueshme dhe kërkesave të depozituara nga studentët për ditë me radhë, formati i diplomave do të mbetet po ai.

Llojet e koeficienteve

Edhe për këtë vit maturantët do të kenë në dispozicion dy koeficientë mbi bazën e të cilëve do të përzgjedhin lëndët dhe degët ku duan të ndjekin studimet e larta. Koeficientët do të jenë të ndara sipas profilit të shkollës së mesme dhe degëve të fakultetit. Këta koeficientë do të përzgjidhen duke filluar nga alternativat 1.0 deri në alternativën me të lartë, që është koeficienti 1.4

Llojet e shkollave të mesme

Koeficientët do të jenë të ndryshëm sipas llojit të shkollës, përkatësisht janë 10 tipa shkollash të mesme të përgjithshme, si: profili i përgjithshëm, natyror, shoqëror, shkolla teknike ekonomike 5-vjeçare, teknike profesionale 5-vjeçare, social-kulturore e gjuhëve të huaja, social-kulturore artistike dhe sportive, social-kulturore pedagogjike (4-vjeçare), me kohë të shkurtuar si dhe teknike-profesionale me kohë të shkurtuar.

Programet orientuese

Grupet e punës kanë hartuar të gjitha programet orientuese mbi bazën e të cilave maturantët do të fillojnë periudhën përgatitore për provimet e Maturës Shtetërore. Për këtë vit do të jenë 10 lloje programesh orientuese, sipas lëndëve

Matematikë, Gjuhë shqipe Letërsi, Fizikë, Kimi, Biologji, Anglisht, Histori, Gjeografi, Njohuri për shoqërinë, Ekonomi, Filozofi, Frëngjisht, Italisht.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›