E Diel, 1 Nëntor 2026

Koçiu i “kokainës” kërkon liri me kusht

15/02/2009  Ish-kreu i Policisë Gjyqësore është dënuar me 15 vjet burg për trafik droge

Ai paraqiti si kriter në gjykatë sjelljen e tij të mirë në ambientet e burgut

I dënuar në prill të vitit 2003 me akuzën e trafikut ndërkombëtar të drogës e falsifikimit të dokumenteve, Sokol Koçiu kërkon nga gjykata të jetë i lirë me kusht. Disa herë ka kërkuar ulje dënimi, ndërkohë që dje u paraqit para gjyqtarit Arben Micko për të bërë një tjetër kërkesë atë të fitimit të lirisë me kusht. Është dënuar me 15 vjet burg në prill të vitit 2003. Ndërkohë që u arrestua nga policia në kuadër të operacionit “Kokaina” në vitin 2001. Pretendon se liria me kusht është e drejta e gjithsecilit dhe ai e ka këtë të drejtë. Por edhe pse u paraqit ne seancën e djeshme, ai nuk qëndroi gjatë në sallën e gjyqit. Seanca është shtyrë për një datë tjetër nga ana e gjyqtarit. Koçiu i njohur si komisari në trafikun e kokainës, është përpjekur disa herë të fitojë lirinë, por deri tani gjykata nuk është shprehur pozitivisht. Një vit më parë ai humbi të drejtën e fitimit të amnistisë, pasi nuk u paraqit në seancë gjyqësore. Sokol Koçiu disa kohë më parë u transferua nga burgu i sigurisë së lartë Peqin në atë të Vaqarit që është burg i sigurisë së zakonshme. Sokol Koçiu, ish-kreu i Policisë Gjyqësore në Prokurorinë e Përgjithshme, u prangos më 2 shkurt 2001 në kuadër të operacionit “Kokaina”. Në prill të vitit 2003 ai u dënua me 15 vjet burg nga gjykata e Tiranës, vendim të cilin Apeli e la në fuqi në dhjetor të atij viti. Më pas, Gjykata e Lartë duke argumentuar se në proces nuk kishte shkelje procedurale, refuzoi ta shqyrtonte rekursin e të pandehurve. Në fund të vitit 2005, Gjykata Kushtetuese evidentoi shkelje të Kushtetutës dhe riktheu çështjen në Gjykatën e Lartë. Kjo gjykatë në bazë të detyrave të lëna nga Kushtetuesja iu hoqi tre të pandehurve Frederik Durda, Arben Përballa dhe Sokol Koçiu, akuzën e “drejtimit dhe përfshirjes në organizatë kriminale”, duke u ulur edhe dënimin. Përfundimisht, Koçiu u dënua me 12.5 vjet burg, nga të cilat deri tani ka vuajtur plot 10 vjet. Duke qenë se i ka mbetur edhe një kohë e shkurtër e qëndrimit në burg, Koçiu pretendon se ka të drejtën të jetë i lirë me kusht. Ai ka paraqitur si kriter edhe sjelljen e tij të mirë si në burgun e sigurisë së lartë ashtu edhe në atë të transferuar pak kohë më parë në Vaqar. Asnjëherë Sokol Koçiu nuk e pranoi akuzën. Megjithatë, Prokuroria arriti t’i vërtetoi gjykatës se ish-oficeri ka qenë i përfshirë në trafikun e kokainës duke e deklaruar fajtor. Pretendimet e akuzës qëndruan edhe në shkallë të tjera të gjykimit.

A. Çuka

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›