E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pastroni skemën e ndihmës ekonomike nga abuzuesit

15/02/2009  Prefekti paralajmëron penalizime për vendorët

Prefekti i Qarkut të Elbasanit u ka bërë thirrje njësive vendore të pastrojnë nga listat e ndihmës ekonomike familjet abuzive. Shefqet Deliallisi në një takim me njësitë vendore ka kërkuar nga kryetarët të punojnë në drejtim të përcaktimit të familjeve që duhet të përfitojnë realisht ndihmë nga shteti. Ai gjithashtu i është drejtuar këshilltarëve të evitojnë konfliktet e interesit. Në thirrjen e tij prefekti ka paralajmëruar se grupi i kontrollit që do të ngrihet pranë këtij institucioni nën drejtimin e zyrës së Shërbimit Social do të evidentojë rastet abuzive duke marrë masa për njësitë vendore dhe për miratimin e fondit që i delegohet atyre për ndihmën ekonomike. Rastet e familjeve që marrin ndihmë ekonomike në mënyrë të paligjshme nuk kanë munguar sidomos në komuna dhe në bashkitë më të vogla. Bashkia Cërrik ka pasur një numër të madh familjesh që janë konsideruar abuzive dhe vetëm me ndërhyrjen e prefekturës shumë prej tyre u larguan nga skema. “Ne nuk e përjashtojmë mundësinë se këto familje janë të varfra, por në rast se shkelet ligji atëherë nuk mund të tolerojmë. Vetë institucioni vendor mund të planifikojë në buxhetin e tij për të ndihmuar këto familje që nuk plotësojnë kriteret, por që gjendja e tyre ekonomike është e varfër. I mbetet bashkisë apo komunës të zgjedhë për të shpërndarë në kohë ndihmën ekonomike”, tha prefekti Deliallisi. Në qarkun e Elbasanit trajtohen me ndihmë ekonomike rreth 12 mijë familje. Zyra rajonale e Ndihmës Ekonomike në Elbasan ka denoncuar edhe raste të tjera të përfitimit të padrejtë të ndihmës ekonomike sidomos në komuna, kur Këshilli miraton edhe familjarë të vetë anëtarëve edhe pse ata nuk plotësojnë kushtet.

L. Lleshi

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›