Elbasan zjarr ne fshatin Mengel
Flakët e zjarrit përfshijnë një sipërfaqe të mbuluar nga shkurre e pisha në Mengel të Elbasanit. Në vendin e ngjarjes kanë shkuar zjarrfikëset, por për shkak të terrenit të thyer malor nuk kanë mundur të afrohen afër vatrës së zjarrit.
Zjarrfikëset nuk kanë lejuar që zjarri t’u afrohet zonave të banuara. Për fikjen e flakëve janë angazhuar punonjës të drejtorisë së pyjeve dhe banorë të zonës. Pas disa orë përpjekjesh zjarri është fikur, por dëmet kanë qenë të konsiderueshme pasi flaka ka shkrumbuar dhjetra rrënjë me pisha dhe sipërfaqe të mëdha me shkurre.
Ende nuk dihen shkaqet e zjarrit. Sipas të dhënave paraprake shkak i zjarrit mendohet të ketë qenë hedhja e ndonjë cigareje nga pakujdesia. Megjithatë çështja është nën hetim. Edhe pse ende jemi larg verës, gjatë këtij muaji në Elbasan kanë shpërthyer 5 zjarre të ndryshme.