E Diel, 1 Nëntor 2026

Elbasani: Edmond Gëzdari, trajneri i ri kampioneve

Altin B. Kodra

Trajneri i kampionëve në fuqi, Luan Deliu, është shkarkuar nga detyra e drejtimit të skuadrës së Elbasanit dhe vendin e tij e ka zënë Edmond Gëzdari. Burimet në fjalë, pohojnë se largimi i Deliut nga pankina e Elbasanit ishte projektuar që me atë zhgënjim, 0-1, që pësoi në humbjen në fushën e vet me Vllaznisë dhe humbja me Dinamon ka qenë goditja e fundit që ka finalizuar gjithcka. Po të njëjtat burime pohojnë për "Standard" se largimi i trajnerit dhe zëvendësimi i tij me Gëzdarin, nuk do të jetë e vetmja masë që do të marrë presidenca e klubit elbasanas, për të rikthyer në rrugë të mbarë përpjekjet për të mbrojtur me sukses titullin e "kampiones", të fituar dje. Bashkë me trajnerin Deliu, pritet që nga Elbasani të përjashtohen edhe dy-tre lojtarë, të cilët, sipas drejtuesve verdheblu, nuk e kanë përligjur veten me paraqitjen e tyre. Ekipi që sezonin e shkuar i surprizoi të gjithë, duke fituar sërish titullin "kampion", pas 20 vjetësh, e gjen veten në vendin e pestë e renditjes, në këtë fundvit, me 36 pikë, plot 11 pikë pas Tiranës kryesuese. Luan Deliu, së bashku me kolegun e tij, Sulejman Starova, që drejton Teutën, ishin ndër të vetmit që nuk kishin pësuar fatin e Bajkos (Partizani), Agim Canajt e Eqerem Memushit (që të dy të Flamurtarit), Ramadan Ndreut (Kastriotit), Hasan Likës dhe Përparim Daiut (që të dy të Besës), Mirel Josës (Tirana), Ulrih Shulces (Vllaznia), Faruk Sejdinit (Dinamo), apo Vasil Bicit (Shkumbini), që janë shkarkuar nga posti i trajnerit që në fillim të këtij sezoni të Kategorisë Superiore. Elbasani humbi 1-2 të shtunën e kaluar me Dinamon, kur ishte në avantazh të një goli. Një gjë e tillë ka bërë që drejtuesit e Elbasanit të merrnin vendimin ekstrem të shkarkimit të tij nga detyra. Momentalisht ekipi është pa trajner dhe për drejtimin e tij po fliten disa emra, të cilët nuk janë bërë ende të ditur. Përsa i përket stërvitjes ajo duket se do të fillojë pas Vitit të Ri. Një gjë e tillë do të ketë edhe anët e saj negative. Po të shikojmë skuadrën e Dinamos dhe të Partizanit, ato kanë bërë vetëm dy ditë pushim dhe kanë filluar stërvitjen. Megjithëse ekipi "kampion" kaloi në avantazh i pari, nuk mundi që të përballonte sulmin dinamovit që shënoi dy herë, që përmbysi kështu rezultatin në favor të saj. Bilanci i Luan Deliut me Elbasanin këtë sezon: Bilanci: Ndeshje 17 Fitore 8 Barazime 2 Humbje 7 Golaverazhi 17-17 Pikë 26 Fitorja më e thellë: 2-0, Elbasani-Shkumbini, java 13 Humbja më e thellë: 3-0, Shkumbini-Elbasani, java 2 Rezultati suprizë: 0-1, Elbasani-Vllaznia, java 16

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›