E Diel, 1 Nëntor 2026

Slomka, i kënaqur me ‘gjyshin’ e Bundesligës

Altin Lala po e shijon sezonin e fundit në karrierë. Trajneri Mirko Slomka ndihet i nderuar që e ka në dispozicion një alternativë si mesfushorin shqiptar, të cilin e konsideron si person të shkëlqyeshëm. 36 vjeçari thotë se do ta shijojë çdo ndeshje, kur t’i jepet rasti. Ai ndihet ‘gjyshi’ i kampionatit gjerman, për shkak të moshës që ka.

Altin Lala po e shijon sezonin e fundit në karrierë. Mesfushori shqiptar nuk është më yll në Hannover, por vetë prania e tij është e rëndësishme për klubin gjerman. Edhe pse nuk po luan rregullisht, mesfushori shqiptar inkuadrohet në lojë kohë pas kohe.

“Ai është një person i shkëlqyeshëm”, thotë fillimisht trajneri i Hannoverit, Mirko Slomka.

Historia e Lalës është mjaft speciale. Si adoleshent, në vitin 1991 kishte udhëtuar në Gjemani me Kombëtaren U-16 të Shqipërisë. 13 vjet më parë, ai i është bashkuar Hannoverit nga Borussia Fulda. Ai ka qenë kapiten i këtij ekipi për shumë vite. Ka zhvilluar 292 ndeshje dhe tashmë i ka 36 vjet.

Mirëpo, ai ka treguar se nuk di të dorëzohet asnjëherë. “Po të isha trajner, do ta vendosja veten gjithmonë në fushë për të luajtur”, është njëra prej fjalëve të preferuara të Lalës. Kështu ka qenë për një kohë të gjatë, por një lëndim i rëndë e kishte detyruar që t’i ‘shkurtohej’ karriera pas disa pauzave të vazhdueshme.

Mirëpo, ai e vazhdoi kontratën verën që shkoi për një vit, të fundit në karrierë. “Isha i lumtur që ai do të luante edhe këtë sezon. Kisha instinkt se ai do na bashkohej me sukses në udhëtimet evropiane. Është një alternativë mjaft e mirë”, shton trajneri Slomka.

Lala nuk dorëzohet kurrë. Ai është treguar mjaft aktiv edhe në stërvitje, pasi që jeton me dhe për futbollin. “Është zbavitëse të luash me këta djelmosha, edhe pse kam zhvilluar vetëm disa ndeshje. Sidoqoftë, objektiv imi është që të kompletoj sa më shumë ndeshje. Për mua është e rëndësishme të jem në gjendje të mirë fizike”, vazhdoi ish përfaqësuesi shqiptar.

Ai e di se fundi i karrierës po troket në derën e tij. “Po i shijoj këto momente, por po vjen fundi. Sa e di unë, jam lojtari më i vjetër i kampionatit - gjyshi. Kështu që në fund gjithçka do të shkojë mirë”, përfundoi Lala i cili do t’i japë lamtumiren edhe Kombëtares shqiptare.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›