Elbasani gjen liderin e munguar, Bylykbashin
Presidenti Arben Laze ka bërë dy goditje në fund të merkatos, duke kthyer në skuadër Dorian Bylykbashin dhe Armand Mehmetajn
Drejtuesit e Elbasanit kanë bërë dy lëvizje të shpejta në fundin e merkatos së dimrit, lëvizje që në fakt ishin parashikuar. Presidenti Arben Laze, si gjithmonë, i ka lënë për në fund surprizat. Pasi mbajti në skuadër mesfushorin Orgest Gava, ai ka rikthyer tek Elbasani mbrojtësin Armand Mehmetaj dhe mesfushorin Dorian Bylykbashi.
Prej ditësh, në qarqet futbolldashëse qarkullonin zërat se të dy këta futbollistë elbasanas do të luanin me verdheblutë fazën e dytë të kampionatit, por zyrtarizimi është bërë orët e fundit. Burime të sigurta pranë presidencës së Elbasanit pohojnë se në listën e federimeve është përfshirë edhe mesfushori Dorian Bylykbashi, duke u dhënë fund kështu spekullimeve për të.
Pa dyshim që kjo është goditja më e madhe në merkato për verdheblutë, pasi vlerat e Bylykbashit njihen nga të gjithë. Edhe Mehmetaj është një përforcim me vlera për mbrojtjen, që gjatë fazës së parë ka pasur probleme në krahun e djathtë. Tani mund të thuhet me bindje se Elbasani ka skuadrën e duhur për të pretenduar kthimin në superligë, qoftë edhe me ndeshje shtesë. Tani të gjithë futbollistët presin startin e fazës së dytë për të vërtetuar se Elbasani nuk e meriton vendin ku ndodhet aktualisht.
Lideri i munguar Marrëveshja me Dorian Bylykbashin është arritur në një moment, kur të gjithë ishin skeptikë për këtë skuadër. Afrimi i tij pritet të rregullojë shumë gjëra në lojë, sepse verdheblutë vuanin për një fantazist, për një lider në fushë. Me Bylykbashin në krye, Elbasani do të synojë përmbysjen e madhe në 15 javët e mbetura.
Verdheblutë ndodhen 5 pikë pas Besës, që mban vendin e 5-të, vendi i fundit i zonës së play-off-it. Në kampin verdheblu kanë besim se çdo gjë është e mundur, aq më tëpër që tashmë marrëdhëniet midis bashkisë dhe klubit janë rregulluar dhe të dyja palët po punojnë shumë për ta kthyer Elbasanin në superligë.
