D.C. United në bisedime me Salihin

D.C. United është në fazën përfundimtare të bisedimeve dhe pritet të transferojë sulmuesin e Rapid Vjenës, Hamdi Salihi, ka njoftuar ueb faqja washingtonexaminer.com.
Duke cituar një burim të mirinformuar, ajo ka njoftuar se ylli i Kombëtares shqiptare është shumë pranë arritjes së një marrëveshjeje për vazhdimin e karrierës në Major League Soccer.
Salihi, i cili muajin e ardhshëm do të mbushë 28 vjet, është anëtar i Rapidit për tashmë dy sezone e gjysmë, por ka hyrë në gjashtë muajt e fundit të kontratës së tij me klubin austriak.
Më herët, gjatë afatit kalimtar të janarit, Salihi ishte përmendur si objektiv i gjigantëve skocez Rangers dhe Celtic si dhe i klubit kinez Changchun Yatain. Salihi ka shënuar 45 gola për Rapidin, përfshirë 25 në të gjitha garat e edicionit të kaluar.