E Shtunë, 31 Tetor 2026

Stoja: Luftëtari të jetë gjithmonë i përqendruar

Nga SOKRAT PAPADHOPULLI

Organizatori i ekipit gjirokastrit, Nertil Stoja, bën apel për të qëndruar me këmbë në tokë gjatë ndeshjeve të fazës së dytë

Luftëtari vazhdon përgatitjet intensivisht për ta nisur vitin 2012 me fitore, jo vetëm për atë që thuhet se fillimi i mbarë është gjysma e punës, por edhe për faktin se dy timonierët e tij të rinj, Dede dhe Novi, e duan suksesin më shumë se të tjerët. Dhe kuptohet që fitorja arrihet veçse me angazhimin e plotë të të gjithëve që e përbëjnë këtë ekip.

Në këtë kuadër, të mërkurën, në stadiumin Gjirokastra u zhvillua një miqësore me ekipin U-19. Luftëtari e nisi ndeshjen me këtë formacion: Selimaj, Bistri, Sinani, Brahimi, Zholi, Çaço, Devolli, Stoja, Strati, Nora dhe Raboshta, ndërsa në vazhdim u aktivizuan dhe plot të tjerë nga të disponueshmit. Për Shalarin dhe Ramadani ende nuk dihet se kur do të luajnë, edhe pse janë drejt riaftësimit.

Stoja Nertil Stoja ishte më i pafati nga lojtarët e Luftëtarit në 14 ndeshjet e fazës së parë, pasi që në javën e parë, pas ndeshjes me Vlorën, u pezullua për 24 muaj dhe mori një gjobë të majme, por që përfundimisht dënimi u reduktua në 6 ndeshje. Kjo bëri që shiriti i kapitenit të kalojë te krahu i Devollit. Sidoqoftë, ai ka rolin e organizatorit, që është ndër më kryesorët në çdo ekip.

Për fazën e dytë Stoja shprehet: Gjithmonë e më shumë po i afrohemi rifillimit të kampionatit. Do të ndeshemi në Vlorë me ekipin vendës, që në Gjirokastër e mundëm 1-0, por na krijoi vështirësi. Personalisht, në atë ndeshje u ndëshkova rëndë, por përfundimisht nuk luajta 6 ndeshje. Tani ekipet në fjalë kanë një diferencë prej 19 pikësh, ndërkohë që ne kemi një ndeshje më pak.

Megjithëse nuk janë gjithmonë pikët që tregojnë forcën e një ekipi, kur diferenca është aq e thellë, pa dyshim që Luftëtrai rezulton më i fortë se Vlora. Por ne duhet që ta tregojmë epërsinë, duke fituar, madje dhe me lojë të bukur. Mendimi im është se ekipi që kemi për fazën e dytë është më i kompletuar se ai i fazës së parë me 3 prurjet e reja. Po ashtu, them se edhe vetë do të bëj një paraqitje më të mirë, duke dalë edhe te goli.

Të gjithë e kemi të qartë se, edhe pse kemi vërtet ekipin më rezultativ të kategorisë së parë, duhet të qëndrojmë me këmbë në tokë, sepse lufta sportive gjatë fazës së dytë do të jetë shumë më e fortë. Pra, duhet të jemi në çdo ndeshje shumë të përqendruar për të arritur suksesin.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›