E Shtunë, 31 Tetor 2026

Messi, ‘kampion’ i gabimeve

Lionel Messi është aktualisht futbollisti më i mirë në botë dhe pa dyshim arma kryesore e Barcelonës. Por, SuperDeporte ka publikuar një statistikë interesante, që tregon se argjentinasi ka humbur më së shumti topa deri më tani në La Liga, plot 279. Megjithëkëtë, 24 vjeçari është element i domosdoshëm në lojën e gjigantit katalan.

E përditshmja spanjolle SuperDeporte ka publikuar një statistikë për shumëkënd të pabesueshme. Futbollisti, i cili më së shpeshti e humb topin në La Liga, është ai që sot konsiderohet më i miri në botë, Lionel Messi.

Edhe pse është pa dyshim dribluesi më i mirë në botë, analiza e SuperDeporte tregon se gjeniu i Barcelonës e humb topin më shpesh se cilido futbollist tjetër në kampionatin spanjoll. Messi deri më tani gjatë këtij sezoni në ndeshjet e ligës ka humbur, ose më mirë të themi ka shërbyer gabimisht në 279 raste.

Në pozitat dy dhe tre gjenden dyshja e Espanyolit, Didac Villa (251) dhe Joan Verdy (241). Megjithatë, Messi ka rëndësi të domosdoshme për lojën e Barcelonës dhe dëshmi për këtë është statistika se në fitoren e Barcelonës, në 89 për qind të rasteve argjentinasi është në mesin e golashënuesve.

Pa golat e tij, gjiganti katalan ka festuar në vetëm 52 për qind të ndeshjeve. Po ashtu, Messi është futbollisti me numrin më të madh të goditjeve në portat kundërshtare në La Liga.

Messi do të pensionohet në Argjentinë

Messi ëndërron Argjentinën, ndoshta një kontratë me ish skuadrën e tij të fëmijërisë Newell’s. Kështu e sheh ai përfundimin e karrierës së tij. “Një ditë do të më pëlqente të luaja në Argjentinën e ndoshta edhe të mbyll karrierën me Newell’s”, ka thënë Messi gjatë një interviste për Radio Metro.

Por, deri te pensionimi i tij ‘fatmirësisht’ka edhe shumë kohë, pasi magjistari i gjigantit katalan është vetëm 24 vjeç. Tani për tani ai dëshiron të pushtojë zemrat e tifozëve të Argjentinës ashtu sikurse ata të Barcelonës.

“Nuk mund të fitoj një ndeshje i vetëm, këtë nuk e bëj as te Barcelona. E pastaj në Kombëtare luaj në një pozitë tjetër, nuk duhet bërë krahasime”, shtoi ai. Pavarësisht moshës së tij të re, Messi ka fituar gati çdo gjë që mund të fitohet në shkallën e klubeve. “Nuk kam shumë kohë për t’u kënaqur me atë që kam arritur. Pas pensionimit ndoshta do të kem më tepër kohë të shijoj atë që kam bërë”, përfundoi ai.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›