Elbasani, i dënuar të fitojë në Gramsh
Ndalesa në transfertën e parë të fazës së dytë mund ti largojë përfundimisht verdheblutë nga objektivi për kthimin në superligë
Në fazën e parë Elbasani e fitonte me lehtësi derbin e prefekturës me Gramshin, por tashmë gjërat janë ndryshe. Së pari, skuadra e drejtuar nga trajneri File luan në transfertë, ku deri tani nuk ka bërë asgjë. Së dyti, Gramshi është një kundërshtar, që këtë sezon ka treguar se mund të luajë si i barabartë edhe me pretendentët për superligën.
Në këto kushte, verdheblutë do ta kenë shumë të vështirë, por ata janë të vetëdijshëm se nuk mund të pretendojnë të kthehen në superligë, nëse nuk arrijnë të marrin pikë jashtë fushës së tyre. Me ndryshimet e bëra gjatë merkatos së dimrit, është krijuar bindja se Elbasani është në gjendje të fitojë edhe në transfertë dhe se do të arrijë të paktën të ngjitë edhe një shkallë në tabelën e klasifikimit.
Sidomos me ardhjen e Dorian Bylykbashit, kjo skuadër pritet të bëjë atë që nuk e bëri asnjëherë gjatë fazës së parë, pra të kthehet në Elbasan me 3 pikë. Gramshi, përveçse derbi, është edhe transferta e parë e fazës së dytë, ndaj dhe ka marrë vëmendjen maksimale të verdhebluve. Për ta është e qartë se kjo ndeshje ka shumë rëndësi, pasi një fitore e mundëshme do të largonte makthin e transfertave dhe do të krijonte besimin se Elbasani i ka mundësitë ta arrijë objektivin.
Për këtë sfidë trajneri File ka pasur më shumë kohë për ta përgatitur grupin, kështu që gabimi do të ishte i pafalshëm. E thënë më qartë: Elbasani është i dënuar ta fitojë derbin e së shtunës për shumë arsye. Futbollistët do ti kthehen sot fushës për të vazhduar përgatitjet, ndërkohë që tifozëria pret me padurim fundjavën për të mësuar nëse ka ndryshuar vërtet skuadra e zemrës, apo deklaratat e deritanishme janë thjesht fryrje.
