Shtini: Besim, derisa matematika të na lejojë
Sulmuesi blu Ariel Shtini si ka humbur ende shpresat për qëndrimin në superligë. Edhe kavajasi kujton ndeshjen e fazës së parë
Ariel Shtini, 20-vjeçari që aktivizohet me Dinamon këtë sezon futbollistik, është një nga futbollistët me të ardhme të futbollit shqiptar. Gjithsesi, ndeshja e fundit në kampionat përballë Apolonisë, e ka vënë në pozita të vështira nr.7 të bluve, pasi ka humbur disa raste përpara portës kundërshtare.
Gjatë një prononcimi për gazetën, futbollisti i prodhuar në Akademinë e Besës pranon rastet e humbura, por shikon edhe nota pozitive në aspektin personal, gjithashtu edhe të skuadrës. Sipas Shtinit, Skënderbeu mund të jetë i favorizuar në letër nga emrat që ka në gjirin e tij, por ashtu si edhe shoku i skuadrës, Renato Malota, në numrin e shkuar të gazetës, edhe Arieli u kujton korçarëve ndeshjen e kaluar, e cila u mbyll 0-0 në Qemal Stafa, ku blutë kanë pasur disa raste të mira për të shënuar.
Ariel, duket se barazimi me Apoloninë ju ka demoralizuar disi, apo jo?
Deri diku po, por pavarsisht kësaj, duhet të luftojmë deri në fund, të besojmë derisa matematika të na ndajë shapin nga sheqeri. Unë kam besim tek ekipi në të cilin bëj pjesë, edhe pse në ndeshjen me Apolonin bëmë disa gabime foshnjarake.
Personalisht keni shpërdoruar disa raste shënimi me fierakët…?
Marr dhe unë përgjegjësitë e mia për gabimet, por doja të shpjegoja, jo për tu justifikuar, por gjatë gjithë javës përpara sfidës, isha me 1 ditë stërvitje dhe jo më shumë. Nuk isha në 100% të formës sime si pasojë e problemit që kisha kaluar në gju. Por desha të kujtoja se penalltia jonë dhe kartoni i kuq i tyre erdhën si pasojë e aksioneve të mia dhe ky fakt më duket si një gjysmë goli.
Tani keni një ndeshje me Skënderbeun. Kundërshtari duket i favorizuar në letër?
Një kundërshtar si Skënderbeu gjithmonë është i favorizuar, sepse ka lojtarët më të mirë të superligës. Por në futboll asnjëherë nuk i dihet. Mjafton të kujtojmë ndeshjen e fazës së pare, ku Dinamo ishte me shumë pranë fitores sesa Skënderbeu.
Shpëtimi nga rënia në kategorinë inferiore duket shumë larg. Sa besoni ju si pjesë e grupit blu?
Siç e thashë edhe më parë, unë do të besoj derisa matematika do të na i ndajë gjërat përfundimisht.
Çfarë duhet të ndryshojë te Dinamo që të arrijë rezultatet e duhura? Ku mendoni ju se çalon ekipi?
Dinamo duhet të krijojë rastet që pati ndaj Apolonisë, sepse ajo lojë kishte rrjedhshmëri. Të tregohet më e saktë në finalizim dhe të shmangë gabimet në mbrojtje. Besoj që po i bëmë këto, Dinamo mund të mposhtë çdo ekip. Sigurisht, ky është këndvështrimi im personal. Dikush mund ta mendojë ndryshe.
