Nora: Luftëtari do të tregohet edhe më i fortë
Sulmuesi gjirokastrit, Arlind Nora, thekson se ekipi i tij nuk duhet të nënvlerësojë dhe as mbivlerësojë asnjë kundërshtar
Luftëtari ka luajtur 3 ndeshje miqësore me Bylisin këtë sezon. Para fillimit të kampionatit barazoi dy herë, në Gjirokastër 2-2 dhe në Ballsh 1-1. Në barazim 1-1 përfundoi edhe miqësorja e tretë, që u luajt të shtunën në Gjirokastër. Në ndeshjen e Ballshit u dëmtua Arlind Nora dhe për këtë arsye nuk luajti në 2 ndeshjet e para të fazës së parë.
Këtë herë ai u dëmtua në ndeshjen zyrtare në Vlorë dhe nuk dihet me saktësi nëse do të luajë ose jo me Himarën. Miqësorja me ballshiotët, sikundër pohoi edhe vetë trajneri Nevil Dede, tregoi se lojtarët e stolit të Luftëtarit lanë për të dëshiruar. Por, ekipi nuk pati në dispozicion Shalarin, Bacin, Norën dhe Brahon, të cilët dihet që janë kualitativë dhe kthimi i tyre në farmacion e bën Luftëtarin më kompetitiv.
Ende nuk dihet se kur këta lojtarë do të jenë në dispozicion. Gjirokastritët fillojnë sot javën përgatitore për ndeshjen me Himarën, që do ta luajnë në fushën e tyre dhe përballimi i saj nuk është problem, pavarësisht disa mungesave dhe lojës anemike të rezervave, që le të supozojmë se ishte rastësi ajo paraqitje me Bylisin.
Nora Arlind Nora, i cili në 11 ndeshjet e fazës së parë (2 ndeshje nga dëmtimi dhe 1 nga kartoni i kuq), ka realizuar 10 gola, ku përfshihen edhe 4 dygolësha. Për fazën e dytë ai shprehet:
Kemi përpara 15 ndeshje, që do ti vlerësojmë secilën sipas radhës, pa nënvlerësuar dhe as mbivlerësuar asnjërin nga 14 kundërshtarët, sepse me Kukësin kemi 2 ballafaqime, ndërsa me Vlorën i mbyllëm llogaritë. Me këtë të fundit arritëm ta përmbysnim rezultatin, ndërsa unë u dëmtova që në minutën e 10-të dhe me kurimet intensive jam drejt përmirësimit. Në mos me Himarën, në ndeshjen tjetër besoj se do të jem i gatshëm.
Pavarësiht nga fakti se do të luaj ose jo në këtë ndeshje, them se fitorja e Luftëtarit do të jetë e pastër, e merituar, pse jo dhe e thellë, por e ritheksoj se kjo ndodh, nëse nuk e nënvlerësojmë atë dhe nëse luajmë si në shumicën dërrmuese të ndeshjeve të deritanishme.
Miqësoren me Bylisin nuk e ndoqa, por, me sa u informova, mbetet problem pakujdesia në ndonjë rast në veprimet mbrojtëse dhe ingranimi i lojtarëve rezervë në lojën koherente të formacionit bazë. Shpreh bindjen se së shpejti do të prezantojmë një sulm më agresiv dhe një mbrojtje më solide, nëpërmjet mesfushës efektivisht të manovrueshme dhe kësisoj realizimi i objektivit, pra kthimi në superligë, do të bëhet realitet, madje duke u shpallur edhe kampionë të kategorisë së parë.
