E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hyseni provohet në Hammarby

Fuad Hyseni po provohet në ekipin suedez Hammarby. Futbollisti kosovar ka kaluar mirë në prova, por nuk u ndie gjithaq i kënaqur me ndeshjen kontrolluese që e zhvilloi me klubin nga liga e dytë suedeze.

“Shkoi OK. Gjatë javës në stërvitje ndihesha mirë. Sot, në ndeshje shkoi e kundërta, nuk isha dhe aq i mirë. Por, ky është futbolli”, thotë 22-vjeçari për mediat suedeze.

- “Të shohim se çka do të ndodhë. Do të flas sërish me drejtuesit e klubit. Për momentin, nuk jam shumë optimist se do ta vazhdojmë bashkëpunimin, por nuk i dihet”, shtoi ai.

Përpos klubit nga Stokholmi, ai mund të provohet edhe tek Assyriska. “Assyriska është një klub mjaft i mirë. Jam stërvitur edhe më parë atje. Bashkë me Hammarbyn janë dy klube mjaft të mira, më të mëdhenjtë në Superettan. Do të shohim se çka do të ndodhë. Sezoni fillon shumë shpejt dhe kam nevojë ta gjej ekipin e ri. Do më pëlqente ta kem një të ardhme të qartë”, nënvizoi sulmuesi kosovar.

Ai nuk e di nëse menaxheri i tij po bisedon edhe me klube të tjera. Hyseni nuk e ka përjashtuar mundësinë që të luajë sërish me ekipin e deritashëm Qviding FIF. “Kam pasur një dialog me klubin dhe me trajnerin. Ata e kuptuan situatën time, dua të luaj në nivele më të larta. Megjithatë, nuk ia kam mbyllur dyert kurrë këtij klubi”, përfundoi Hyseni.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›