E Shtunë, 31 Tetor 2026

Elbasani ka nevojë për më shumë agresivitet

Nga Elton Karaj

Përveç merkatos cilësore që pritet të bëhet, nga futbollistët verdheblu kërkohet që të japin më shumë në fushë

Kjo javë ka nisur pa të reja sa i takon merkatos për skuadrën e Elbasanit, që vazhdon me seriozitet stërvitjen në fushën e vjetër. Megjithatë, gjërat duket se po shkojnë mirë, pasi verdheblutë u paraqitën mirë në miqësoren me Shkumbinin, ku fituan 3-1 dhe para së gjithash kënaqën stafin teknik.

Në seancën e djeshme është stërvitur bashkë me grupin edhe mbrojtësi Mardian Kacollja, një lajm i mirë ky për trajnerin stafin teknik, sepse mbrojtja ka qenë reparti më i goditur nga dëmtimet këtë sezon. Ka munguar dje kapiteni i skuadrës, Eriol Merxha, i cili po kalon një gjendje gripale, që e pengon të stërvitet. Gjithsesi, çështja më e rëndësishme është ajo e merkatos së dimrit, sepse prej saj varet direkt objektivi i sezonit.

Nëse do të afrohen ata lojtarë që janë në planet e drejtuesve, Elbasani parashikohet të përmirësohet ndjeshëm dhe të tregojë forcën e një pretendenti real në fazën e dytë. Synimi mbetet ngjitja në superligë, që mund të arrihet vetëm me një merkato cilësore, sepse verdhebluve u duhet të rikuperojnë shumë pikë për të shkuar në play-off.

Por, ajo që duhet theksuar është se tifozëria dhe drejtuesit presin një skuadër më agresive, që të jetë e aftë të fitojë edhe në transfertë, ndryshe nga sa ka bërë fazën e parë. Qëndrimi i Elbasanit edhe sezonin e ardhshëm në kategorinë e parë do të ishte vërtet një mëkat, nisur nga tradita, por edhe nga qyteti që përfaqëson.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›