E Shtunë, 31 Tetor 2026

16-vjeçari që bindi Jurgen Kolerin e Bonit

Nga ERJON SALIU

Xhulio Tabaku

Fillimisht mesfushori shqiptar u provua tek Akademia e Këlnit, ku në një ndeshje testuese i tërhoqi vëmendjen Kolerit, i cili menjëherë shfaqi interes dhe e afroi te skuadra që drejton

Xhulio Tabaku, mesfushori i ri talentuar, i cili prej dy sezonsh u aktivizua në skuadrën e paratërinjve të Tiranës, në ditët e para të janarit u provua në Gjermani. Tabaku, vitin shkuar ka pasur edhe një ftesë nga skuadra e paratërinjve të Leçes, ku dhe aty gjatë një testimi në verë u ka rënë në sy trajnerëve të skuadrës italiane. Në një ndeshje moshash mes Dinamos dhe Tiranës, menaxherë gjermanë në bashkëpunim me homologë të tyre shqiptarë e kanë pikasur Tabakun.

Fillimisht atij i bënë një ftesë për në Këln, ku u provua para disa ditësh. Ai spikati jo vetëm me moshatarët e tij, por edhe me skuadrën U-19 të Akademisë së Këlnit. Mirëpo gjatë fazës testuese, ai ra në syrin e menaxherëve dhe specialistëve të skuadrës së Bonit. Madje, vetë trajneri i kësaj skuadre, ish-mbrojtësi i famshëm gjerman, Jurgen Koler, i cili ka luajtur për skuadra të njohura në Europë, si Borusia Dortmund, Bajern Mynih dhe Juventus, u dashurua pas lojës së 16-vjeçarit shqiptar.

Vetë trajneri Koler bisedoi me Xhulion dhe i bëri ftesë që të luante për skuadrën e tij. Xhulio Tabaku është shumë i lumtur për eksperiencën e re që e pret dhe e sheh Gjermaninë si mundësinë më të mirë për tu bërë një futbollist i famshëm. Kam shumë vite që punoj për këtë ditë. Gjermania është toka e premtuar për çdo lojtar të ri dhe unë dua të eci në gjurmët e të gjithë lojtarëve shqiptarë që kanë luajtur në këtë shtet.

Kisha ofertë nga drejtuesit e Akademisë së Këlnit, por fakti që skuadra e Bonit drejtohet nga një emër i madh i futbollit gjerman dhe europian, si Jurgen Koler, bëri që unë të ndryshoja mendje. Do të ndjek edhe studimet në një prej kolegjeve të qytetit. Dua që të më ecë mbarë dhe të arrij Bundesligën. Dua që të luaj te Bajerni i Mynihut, duke qenë se jam tifoz qysh në fëmijërinë time me këtë ekip.

Kam filluar që të stërvitem qysh në moshën gjashtëvjeçare nga specialisti i mirënjohur, Kostika Sterjon, për disa vite me radhë. Pastaj jam stërvitur me trajnerin Kreshnik Agolli, për të vijuar me skuadrën e paratërinjve të Tiranës, fillimisht me Agustin Kolën dhe më pas me Luan Senglën. Tashmë do të punoj që të luaj në nivele të larta, pse jo një ditë të vesh edhe fanellën e ekipit kombëtar, thotë i riu Tabaku.

Falënderimi

Duke filluar që nga trajneri im i parë Kostika Sterjo e deri te Sengla, dua ti falënderoj sepse kanë një kontribut të çmuar që unë sot hodha këtë hap të rëndësishëm. Natyrisht që dua të falënderoj edhe trajnerin Sulejman Demollari, i cili më ka drejtuar te kombëtarja U-15. Ai nguliti te ne eksperiencën europiane qysh në moshë të vogël, në mënyrë që edhe ne të rriteshim si lojtarë profesionistë.

Shokëve të mi tek skuadra e Tiranës u uroj suksese dhe shpresoj që të dalin kampionë. Në fund dua që të falënderoj familjen time, që gjithnjë më ka mbështetur, pasi në çdo ndeshjeje që ne luanim shumë të afërm të mi vinin dhe më përkrahnin dhe kjo më ka ndihmuar shumë. Një ndihmesë të madhe më ka dhënë edhe Arben Hoxha, një shqiptar që me njohjet që ka në Gjermani ma ka bërë më të lehtë përshtatjen atje, – pohoi 16-vjeçari Xhulio Tabaku, i cili të dielën ka lënë Shqipërinë për të vijuar karrierën në Gjermani.

Jurgen Koler: Xhulio luan si profesionist

Trajneri i të rinjve të Bonit, i cili është shpallur kampion bote me Gjermaninë, Jurgen Koler, e ka pëlyqer shumë 16-vjeçarin Xhulio Tabaku. Madje, menjëherë guxoi dhe ngulmoi për ta afruar në skuadrën që drejton. Sapo e pashë Xhuljon në veprimet me topin më bëri përshtypje se si një lojtar vetëm 16 vjeç arriti që të luante si i barabartë edhe me skuadrën e 19-vjeçarëve.

Një djalosh që luan shumë mirë futboll dhe sillet si profesionist në fushën e lojës, më shumë mendon për skuadrën se sa për vete, çka i përshtatet edhe stilit të futbollit gjerman. Jam i bindur që do të ecë dhe kjo eksperiencë, në këtë moshë kaq të re në Gjermani, do ta ndihmojë shumë për të ardhmen që të bëhet një lojtar cilësorë.

Në qoftë se do të punojë shumë, nuk është çudi që me talentin që ka, ai pas pak vitesh të luajë në Bundesligën e parë,” u është drejtuar Jurgen Koler shqiptarëve që ndiqnin me interes Xhulion.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›