Elbasani, mësues me shumicë
ELBASAN- 67 mësues do të kalojnë me kontraktë dhe nuk do të jenë të përhershëm, pasi ata dalin mbi organikën e deleguar nga Ministria e Arsimit dhe jashtë profilit. Ky ishte përfundimi pas verifikimeve të kryera në rrethin e Elbasanit, rreth i cilësuar problematik për numrin e madh të mësuesve të papunë. Dje gjatë mbledhjes së prefekturës, pas prezantimit të dy drejtuesve të rinj, u nxorën në pah problemet e arsimit. Sipas drejtueses Matraxhiu, një nga problemet e konstatuara është emërimi në të njëjtin vend pune i dy mësuesve, ku më pas njëri del i papunë. Nga verifikimet e bëra pas ardhjes në detyrë të drejtoreshës së re, rezultuan edhe mësues jashtë profilit, të cilët pritet të kalojnë me kontratë. Një ndër problemet më të mëdha të nënvizuara ishte edhe numri i vogël i nxënësve për klasë në një prej shkollave të rrethit, fakt që çon në mbylljen e klasave dhe njëkohësisht në problemin e sistemimit të nxënësve. Matraxhiu deklaroi se për zgjidhjen e këtij problemi do të kontaktohet me Ministrinë e Arsimit. Ndërkohë, prefekti Deliallisi, bazuar në urdhrin e Kryeministrit për faturat e energjisë elektrike, tha se të gjithë drejtorët do të marrin masa që punonjësit e tyre të kenë shlyer të gjitha detyrimet ndaj OSSH-së, në të kundërt, ata rrezikojnë të penalizohen në pagë.