E Diel, 1 Nëntor 2026

Studentët: Duam sistemin e vjetër

Masterat/ Vazhdojnë protesta e studentëve të degëve italisht dhe anglisht që kërkojnë të drejtën e studimit në nivelin master

Certifikata që u është dhënë pas përfundimit të studimeve trevjeçare nuk rezulton e vlefshme në tregun e punës

“Nëse nuk na aprovojnë kërkesat, atëherë le të vazhdojmë me sistemin e vjetër”. Kjo është zgjidhja që japin studentët e gjuhëve të huaja në Universitetin e Vlorës të cilët dje kanë protestuar sërish, protestë që pritet të vazhdojë edhe sot, si dhe ditët e ardhshme, deri në dhënien e një përgjigjeje për ta. Dje ata i janë drejtuar sërish me anë të një peticioni rektoratit, Fakultetit të Edukimit, si dhe Ministrisë së Arsimit duke paraqitur kërkesat e tyre: aprovimin e nivelit të masterit të parë; zhvillimin e vitit të fundit mësimor në Universitetin e Vlorës, si dhe marrjen e një diplome të sigurt dhe të vlefshme për tregun e punës. Në të kundërt, thonë ata, le të kthehemi në sistemin e vjetër e të vijojmë vitin e katërt.

Problemet

Mbarimi i ciklit të parë të studimeve, sipas Kartës së Bolonjës i ka pajisur studentët me një certifikatë. Një fakt i tillë i ka bërë ata të papranueshëm për tregun e punës, pasi thjesht vërtetohet se njohin gjuhët angleze e italiane, por nuk quhen të diplomuar. Për të qenë të pranuar, ata duhet të kenë mundësinë e vazhdimit të nivelit të masterit të parë në degët e lartpërmendura. “Nuk hedhim poshtë punën tonë trevjeçare dhe sakrificat e prindërve tanë”,- thonë studentët. Ata paralajmëruan vijim të protestave deri në fitimin e së drejtës së tyre, duke e quajtur paradoks lënien pa master të degëve të tyre. Ndërkaq, dega që do të vijojë me sistemin e vjetër në Fakultetin e Edukimit është ajo e gjuhë-letërsisë, studentët e së cilës e fituan këtë “të drejtë” vetëm me anë të grevës së zhvilluar gjatë muajve të verës.

Dekani

Bilal Shkurtaj, dekani i Fakultetit të Edukimit, u shpreh se i kanë kërkuar Ministrisë së Arsimit të sjellë pedagogë nga Tirana për të dhënë mësim në universitetin e tyre. Kjo, sipas tij, është një alternativë për studentët e italishtes dhe anglishtes, në mënyrë që edhe ata të kenë mundësi të vazhdojnë studimet e mëtejshme të tyre. Dekani e ka quajtur të papranueshëm ngërçin që është krijuar me studentët. Sipas tij, tashmë pritet vetëm reagimi i ministrisë për vijimin apo jo të masterit të nivelit të parë në këto dy degë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›