E Diel, 1 Nëntor 2026

Në sitë automjetet, radhë e gjatë në Morinë

Kukës- Radhë e gjatë automjetesh në pikën kufitare të Morinit. Prej orësh, mbi 400 automjete presin të hyjnë në vendin tonë, në pritje të porcedurave të domosdoshme në doganë.

Sipas burimeve nga kjo doganë mësohet se vonesat janë krijuar në anën kosovare, e cila po vijon punën me një sportel. Personeli në atë anë është duke kryer kontrolle të imtësishme të personave që hyjnë e dalin dhe në mënyrë të veçantë të automjeteve.

Kontrolli, sqarohetr se është në kuadër të vendosjes së rregullit dhe regjistrimit të saktë të kalimeve në doganë dhe nuk ka ndonjë motiv tjetër përpos kësaj. Burimet nga dogana e kanë cilësuar si një kontroll rutinë, që bëhet zakonisht në krye të çdo muaji.

“Në sitën e kontrollit po kalojnë gjithë automjetet, të cilave po u regjitsrohet numri i shasisë dhe gjithë dokumentacionet e tjera që janë të detyruara sipas ligjit”- thonë të njëjtat burime, të cilat saktësojnë se situata do të vijë shumë shpejt në normalizim, ndërkohë që drejtuesit e mjeteve duhet të bëjnë pak durim.Sipas statistikave të fundit të policisë së Kukësit, për muajin shtator kanë hyrë në Shqipëri nga Kosova 35.924 shtetas të huaj e shqiptarë, ndërsa kanë kaluar në Kosovë 32.723 shtetas të huaj e shqiptarë, që përbën një fluks të madh lëvizjesh. Vetëm pak ditë më parë, policia e Kukësit njoftoi se fluksi i madh i lëvizjes në të dy anët e kufirit ka bërë që të vazhdohet puna me tre sportele për kontrollin doganor në doganën e Morinit (Kukës) dhe me dy sportele në doganën e Qafë-Morinit (Tropojë). Kjo lëvizje në të dy anët e kufirit në këtë periudhë vjen pasi shumë shtetas kosovarë preferojnë të lëvizin përmes Shqipërisë për të shkuar pranë familjeve të tyre, apo për t'u rikthyer në vendet ku punojnë e banojnë. Gjatë sezonit veror të këtij viti, megjithë fluksin e madh të lëvizjes, në të dy anët e kufirit nuk është shënuar asnjë incident apo ngjarje e jashtëzakonshme. Për të përballuar udhëtarët, drejtuesit e policisë vazhdojnë kontrollin me postoblloqe të dyfishta të lëvizshme në aksin rrugor Morin-Kukës-Qafë Shllak e Qafë Morinë-Bajram Curri-Fierzë. Në muajt korrik-gusht, përmes doganave me Kosovën kanë hyrë në Shqipëri rreth 170 mijë shtetas të huaj, kryesisht kosovarë, ose mbi katër mijë qytetarë në 24 orë. Aktualisht, në kufirin Shqipëri-Kosovë funksionojnë 5 pika kalimi kufitar - Morini, Orgjosti, Shishtaveci (Kukës), Qafë Prushi (Has) dhe Qafë Morina (Tropojë).

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›